Lajme Shqip Wednesday, 23 May 2012 15:20

Tiranë – Zyra e shtypit e MPJ-së bëri të ditur se për herë të parë pas 17 vitesh anetaresim, Shqipëria do të drejtojë Komitetin e Ministrave të 47 vendeve anëtare, një hap ky që shënon rritjen e imazhit të Shqipërisë në Europë dhe prestigjin e saj për të drejtuar organizata ndërkombëtare të këtyre përmasave.

Simbolikisht sekretari britanik William Hague i dorëzoi zv.Kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto celësin e presidencës së  radhës. Ceremonia u parapri nga takimi i rregullt i Komitetit të  Ministrave, i fundit i drejtuar nga Britania e Madhe, ku u diskutua mbi politikat e Këshillit të  Europës ndaj rajoneve fqinje dhe kontributi i saj ndaj ketyre demokracive të  reja. Më  pas ministri Hague i dorëzoi celësin e presidencë së radhës së  këtij komiteti, Zv.KRyeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme, Haxhinasto.

Ministri Haxhinasto mbajti një  fjalë  ku shpalosi prioritetet e presidencës shqiptare, që  do të  udhëhiqet nga motoja: të  bashkuar në  diversitet. Haxhinasto u shpreh se Shqipëria do të  vazhdojë  punën në  përputhje me vijën e ndjekur më  parë  nga presidencat ukrainase dhe britanike duke promovuar edhe më  tej vlerat e kësaj organizate. Shqipëria, tha Haxhinasto ka vendosur të  ketë si prioritet të saj gjatë  këtyre gjashtë  muajve dialogun ndërkulturor, edukimin e tolerancës vecanërisht për brezat e rinj dhe të  jetuarit së  bashku. Haxhinasto theksoi se në  Tiranë  në  nëntor, gjatë  festimeve të  100 vjetorit të  pavarësisë , do të  organizohet një  konferencë  e nivelit të  lartë ndërkombëtar mbi diversitetin ne Europë  dhe dialogun ndërkulturor.

Pas përfundimit të  takimit të  Ministrave të  47 vendeve anëtare, u zhvillua dhe ceremonia festive e rastit. Zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të  Jashtme, Edmond Haxhinasto i dhuroi Këshillit të  Europës, në  emër të  Shqipërisë, një  kostum popullor  tradicional shqiptar, që  u vlerësua jashtëzakonisht nga të  pranishmit. Më  pas fjalën e mori sekretari i përgjithshëm i KiE, THobjorn Jagland i cili duke e pranuar me kenaqësi dhuratën e cmuar të  Shqipërisë , tha se ky kostum i kujton dhe veshjet e vendit të  tij, Norvegjisë , gjë  që  tregon se ka vlera të  përbashkëta në  kulturat mes vendeve të  Europës dhe kjo e përforcon më  shumë  idenë  e diversitetit dhe të  të  jetuarit së  bashku, që  është  dhe motoja e Shqipërisë .

Hinmi shqiptar i kënduar nga sopranoja Oriana Kurteshi e shoqëruar në  piano nga kompozitori Genc Tukici i dhanë  një  emocion të  vecantë  ceremonisë  së  presidencës shqiptare. (LajmeShqip.com)