Lajme Shqip Monday, 30 May 2011 14:35

Prishtinë – Vendet antike të Shqipërisë do të jenë pjesë e itinerarit kulturor të vendeve europiane antike të spektaklit. Pjesë e këtij itinerari janë 901 vende të ndryshme të cilave do u bashkangjiten amfiteatri i Butrintit, Durrësit dhe Apollonia. Në konferencën ndërkombëtare, “Turizmi i qëndrueshëm dhe zhvillimi lokal” rektori i Universiteti Europian për Turizmin, Salvatore Messina tha se, Shqipëria ka hapësira të shumta për zhvillimin e turizmit kulturor dhe nevojitet një bashkëpunim më i mirë mes sektorit publik dhe atij privat.

“Objektivi i kësaj konference është përqëndrimi tek evolucioni, në kontribuimin e zhvillimit turistik. Shqipëria ofron hapësira të shumta për zhvillimin e turizmit, sidomos për atë kulturor pasi ka resurse interesante. Për zhvillimin e mëtejshëm të këtij sektori nevojitet një aksion i koordinuar mes operatorëve publikë dhe atyre privatë. Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje ne promovojmë vendet antike kulturore për të tërhequr sa më shumë turistë dhe Shqipëria bëhet pjesë e rrjetit të vizitorëve ndërkombëtarë,” tha Messina.

Drejtorja e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Franka Paloka tha se Shqipëria ka nevojë për zbatimin e menjëhershëm të këtyre planeve të turizmit, që duhet të përputhen me kapacitetet që ajo ofron. Iniciativa për krijimin e itinerarit kulturor do të mbështetet nga Ministria e Turizmit, Agjencia për Trashëgiminë Kulurore Mesdhetare Euromed etj.