Tiranë – Është e natyrshme që diskutohet çështja e borxhit për vetë rëndësinë që ka, apo volumit të tij, në lidhje me ecurinë apo qëndrueshmërinë e treguesve financiarë dhe makroekonomikë të një vendi, shprehet në një intervistë për ATSH-në, Këshilltari për Ekonominë i Kryeministrit, Petraq Milo.
Jetojmë në një situatë në të cilën çështja e borxhit është një çështje për t’u vëzhguar dhe për t’u mirëadministruar jo vetëm nga vendi ynë, por nga të gjitha vendet europiane. Jemi dëshmitarë që disa vende kanë vërtetë probleme reale me volumin e borxhit publik. Po të shikojmë trendin tonë do të prekja shtatë elementë në lidhje me borxhin. Në radhë të parë, pa hyrë në analizën e faktorëve, bëhet një debat pse duhet një shtet të marrë borxh.
Këtu është vendimmarrja ndërmjet zhvillimit ekonomik apo lënia e zhvillimit ekonomik të lirë, sektorit privat. E rëndësishme është të kuptohet se janë disa kategori aktivitetesh të cilat në gjuhën ekonomike quhen ekstranalitete, të cilat sektori privat është i pamundur t’i realizojë. Kështu që, domosdoshmërisht është shteti që duhet të ndërhyjë. Sektorë të tillë janë arsimi, shëndetësia, teknologjia, mbrojtja etj, të cilat është e vështirë të realizohen nga sekori privat.
E dyta është si e shikojmë ne? Cili është vizioni i shtetit, një shtet i cili është thjesht rregullator, apo një shtet që normalisht duhet të mbështesë në mënyrë direkte rritjen ekonomike dhe zhvillimin e sektorit privat dhe njëkohësisht ato sektorë që janë më në pah. Pra është një përzgjedhje. Qeveria ka fizionominë e saj, që është pranuar dhe vijon të pranohet, si një shtet që në mënyrë modeste dhe efikase ka ndërhyrë, duke financuar investimet në sektorin e infrastrukturës rrugore, kullimit apo të mbështetjes për sektorët kyç apo, siç shikohet në prespektivë të zhvillimit, si energjia etj. Por njëkohësisht edhe të mbështesë me investime arsimin apo shëndetësinë, si sektorë jetikë, jo vetëm nga frymëmarrja sociale, por edhe si sektorë që do të garantojnë rritjen ekonomike cilësore.
Në këtë aspekt duke parë këtë rol, ka marrrë dhe merr borxh për të krijuar mundësinë e këtyre investimeve, pasi vetëm nga të ardhurat, sigurisht që nuk mund të realizohen të gjitha investimet. Ne investojmë si investime kapitale publike mbi 5 % të PBB-së. Të mos harrojmë që defiçiti jonë është rreth 3.5 % për vitin 2011 dhe 3 % parashikohet të ulet për vitin 2012 dhe po kaq do të jenë edhe investimet publike për vitin 2012. Një shifër shumë realiste dhe transparente, në të cilën një pjesë e shpenzimeve kapitale dhe investimeve publike përballohen nga të ardhurat, rreth 2.3 %, dhe pjesa tjetër duke marrë borxh. Duhet të kuptojmë se borxhi është shumë i thjeshtë nga pikëpamja aritmetike. Madhësia e borxhit ka faktorë që e bëjnë atë të rritet apo të ndryshojë.
Në kuptimin që, duke u shprehur në raport me PBB-në, e njëjta masë dhe i njëjti volum i borxhit ndryshon në varësi të rritjes ekonomike. Nëse rritja ekonomike është më e lartë, sigurisht përqinda do të jetë më e ulët. Nëse rritja do të jetë më e ulët, borxhi do të jetë më i lartë.
Njëkohësisht, borxhi varet edhe nga kursi i këmbimit dhe nga norma e interesit të shërbimit të borxhit. Parë në këtë këndvështrim, qeveria ka adoptuar në radhë të parë volumin e saj e shprehur në përqindje të PBB-së, si një element kryesor, më i rëndësishmi që është mbajtja në stabilitetet e kufirit të borxhit dhe më kryesori është angazhimi politik, që borxhi të jetë nën 60 % e PBB-së mesatare, e cila është mesatare e normave europiane.
Kemi parasysh që mesatarja e borxhit të 20 vendeve europiane është 80 %. Ka vende që borxhin e tyre e kanë mbi 100 % po të kemi parasysh rastin e Greqisë që e ka rreth 145 % , apo Italia 120 % të PBB-së. Po të shikojmë rastet ekstreme të 5 vendeve, që po shkojnë jo mirë në këtë pikë si, Greqia, Italia, Portugalia, Irlanda dhe Spanja që kanë mesatarisht mbi 100% borxhin publik, në këto kushte Shqipëria qëndron në një shifër tepër korrekte.
Friday, 23 December 2011 20:30