Shqipëria dhe Maqedonia u angazhuan për kompletimin e projekteve infrastrukturore midis dy vendeve, të cilat do të bëjnë të mundur lehtësimin e bashkëpunimit dhe përafrimin e mëtejshëm të dy vendeve dhe popujve fqinj.
Sipas zyrës së shtypit pranë kryeministrisë, Kryeministri Berisha priti në një takim Ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Nikola Poposki, të cilin e siguroi për dëshirën dhe vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të intensifikuar marrëdhëniet mes dy vendeve në të gjitha fushat.
Ministri Poposki konfirmoi vendosmërinë e vendit të tij për të intensifikuar marrëdhëniet e bashkëpunimit në të gjitha fushat.
Në veçanti projektet rrugore, pjesë e korridorit të 8-të, bashkimi i linjave hekurudhore midis dy vendeve, ndërtimi i linjës së interkonjeksionit, si dhe bashkëpunimi edhe më i ngushtë në fushën e turizmit, u konsideruan si aspektet konkrete ku është fokusuar vëmendja e dy qeverive.
Në takim u theksua gjithashtu rëndësia që vendet e rajonit Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, por edhe vendet e tjera të eliminojnë të gjitha barrierat për qarkullimin e lirë të mallrave, kapitalit, e qytetarëve, duke ndërtuar një model të ngjashëm me modelin e suksesshëm të ndërtuar nga vendet e BE.
Monday, 03 October 2011 14:36 