Llogaria korente e vendit, që mat diferencën mes flukseve valutore hyrëse dhe atyre dalëse, për vitin 2011 rezultoi në përkeqësim.
Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, për 9-mujorin e vitit 2011, deficiti i llogarisë korrente kishte vlerën e 827 milionë eurove, me një rritje prej 23% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Rritja me 21% e eksporteve nuk mjaftoi për të përmirësuar bilancin e llogarisë korrente, pasi importet janë rritur me ritëm edhe më të lartë dhe bilanci tregtar është përkeqësuar. Deficiti arriti vlerën e afro 1.6 miliardë eurove, me një rritje prej 7% krahasuar me një vit më parë.
Rritja e deficitit tregtar u shoqërua paralelisht me rënien e remitancave dhe dhe të investimeve të huaja direkte. Për 9-mujorin e vitit 2011, dërgesat e emigrantëve kishin vlerën e 475 milionë eurove, me një rënie prej 9.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Po të krahasojmë të dhënat për periudhën 9-mujore, remitancat janë në rënie për të pestin vit rresht. Edhe investimet e huaja rezultuan në rënie për të dytin vit radhazi. Sipas Bankës së Shqipërisë, për 9-mujorin investimet e huaja direkte kishin vlerën e 440 milionë eurove, me një rënie prej afro 25% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2010.
Tendenca negative në ecurinë e deficitit tregtar, të remitancave dhe investimeve të huaja direkte e ka përkeqësuar pozicionin e jashtëm të ekonomisë shqiptare, duke rritur nevojën për financim të jashtëm të konsumit dhe duke e bërë vendin më të prekshëm ndaj efekteve të krizës në tregjet financiare ndërkombëtare.
Friday, 20 January 2012 16:07