Tiranë- Çmimi i karburanteve në tregjet shqiptare ka nisur rritjen që prej dy ditësh dhe të dielën një litër naftë diezel “D1” u shit në tregjet e pakicës me 189 lekë, ndërsa një litër benzinë u shit me 191 lekë.
Kriza ekonomike botërore, por edhe situata e tensionuar e ditëve të fundit e vendeve perëndimore me Iranin ka ndikuar drejtpërsëdrejti në rritjen e çmimit të karburanteve në Shqipëri.
Sipas inportuesve të karburanteve në tregun vendas, shkak i rritjes së çmimit është konflikti i Britanisë dhe Francës me Iranin, por edhe rritja e çmimit të dollarit. monedhe me të cilën blihen karburantet.
Nafta brenda Londrës arriti në fund të kësaj jave në 123 dollarë, ndërsa nafta amerikane u rrit deri në 107 dollarë për fuçi.
Në fakt në tregun shqiptar ekziston një paradoks. Tregtarët e karburante në pikat me pakicëe reflektojnë rritjen e çmimit të karburanteve menjëherë sapo rritet në bursat botërore çmimi i naftës, por e njëjta tendencë nuk verëhet kur çmimi pëson ulje në tregjet e huaja.
Në tregun tonë valutor dollari është luhatur gjatë kësaj jave në kuotat e 104 deri më 106 lekë. Rritja e re e çmimit të karburanteve do të rëndojë buxhetin e familjeve shqiptare, por do të ndikojë negativisht edhe në ekonomi, duke goditur disa sektorë si transporti, peshkimi, prodhimi industrial, ai bujqësor, ndërtimi etj. Efektet do të reflektohen në një fazë të dytë edhe në rritjen e çmimit të mallrave të konsumit.
Sunday, 26 February 2012 19:10