Durrës – Dhjetëra veteranë dhe familjarë të dëshmorëve të luftës, së bashku me drejtues të lartë të pushtetit vendor, vendosën sot kurora dhe buqeta me lule në Mauzoleun e Dëshmorëve të qytetit të Durrësit.
Varrezat e dëshmorëve të Durrësit janë ndërtuar në vitin 1949, pak vite pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe në to prehen 218 luftëtarë që dhanë jetën për çlirimin e atdheut nga pushtuesit nazifashistë.
Gjirokastër – Drejtues të lartë të pushtetit vendor, përfaqësues të forcave politike në Gjirokastër, bënë sot homazhe pranë Varrezave të Dëshmorëve, për të nderuar kujtimin e të rënëve në Luftën e Dytë Botërore.
Të parët që kanë nderuar dëshmorët e rrethit ishin veterantë e luftës, të cilët vendosën pranë “Ushtarit të Panjohur” buqeta me lule.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, në rrethin e Gjirokastër kanë dhënë jetën e tyre 264 dëshmorë.
Kukës – Qindra banorë, të rinj e të reja dhe veteranë, nderuan sot me buqeta e kurora me lule dëshmorët e rënë për lirinë e atdheut. Në këtë veprimtari si rrallë herë janë parë bashkë, duke nderuar veprën dhe idealin e dëshmorëve edhe drejtuesit e partive të ndryshme politike.
Kryetari i shoqatës së familjeve të dëshmorëve, Agim Braha, tha se “të rënët për liri rrëmbyen armët për atdheun e jo për partitë, ata dhanë jetën për ditë më të mira të popullit e jo të partive”.
Braha në fjalën e tij përmendi faktin se, gjatë luftës dhanë jetën edhe 85 bij e bija kuksiane.
Thursday, 05 May 2011 13:14