Lajme Shqip Thursday, 06 October 2011 17:01

Tiranë – Opozita bllokoi sërish votimin për miratimin e Gjykatës Administrative, një ndër projektligjet që kërkon 3/5 e votave i mbetur peng prej më shumë se dy vitesh për shkak të mungesës së votës së opozitës.

Pas një debati prej gati dy orësh në pikën e katërt të rendit të ditës së punimeve të sotme të parlamentit ishte parashikuar votimi i p/ligjit “Për gjykimin e Mosmarrëveshjeve Administrative dhe Organizimin e Drejtësisë Administrative”.

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli ftoi deputetët të miratonin këtë p/ligj, të cilin ajo e konsideroi si mjaft të rëndësishëm. “Ftoj të gjithë deputetët të votojnë, pa votat tuaja ky ligj nuk kalon”, iu drejtua Topalli opozitës të pranishme në sallë.

“Projekiligjet me 3/5 e votave do të mbeten në rend ët ditës në çdo seancë plenare”, deklaroi Topalli, pasi sipas saj, janë pjesë e rekomandimeve të Komisionit Europian.

Por, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, deklaroi se opozita shqiptare ka bërë një ofertë në plotësim dhe zbatim të atyre rekomandimeve që ka bërë Bashkimi Europian, sipas të cilës qeveria bashkë me opozitën kanë përgjegjësinë që në mënyrë transparente dhe kushtetuese të gjejnë rrugën e zgjidhjes drejt integrimit europian.

“Ne u kemi bërë një ofertë që të ngarkohet komisioni i Ligjeve të këtij parlamenti që brenda këtij sesioni që do të thotë deri në dhjetor, të trajtojë në bashkëpunim me një grup ad-hoc konstuticionalistësh, grupe interesi dhe ekspertë të BE-së rast pas rasti të gjitha projektligjet, sipas fushave, në një proces të hapur transparent dhe ne marim angazhimin të japim dakortësinë me votën tonë të çdo rezultati që do të pjellë kjo procedurë”, deklaroi Ruçi.

Ndërkohë kryetari i grupit parlamentar të PD-së Astrit Patoz, theksoi se Bashkimi Europian pret prej nesh një shkëndijë, që më në fund do të nisin të plotësohen disa prej 12 rekomandimeve, që kërkojnë kontribut të përbashkët atë të maxhorancës dhe opozitës. Ato janë detyra konkrete shtëpie, janë ligje dhe reforma, nuk janë fjalë dhe premtime. 5 prej tyre janë sot në rendin e ditës së Parlamentit”, tha Patozi.

Por, sipas tij, Edi Rama ka bërë një hartim prej 10 pikash dhe i ka vënë postobllok dhe pa kaluar ato nuk do të bëhet asnjë hap para për integrimin.

Ai i konsideroi 10 pikat e Edi Ramës si dredhi naive ballkanase për t’u larguar nga një detyrim i madh dhe një proces jetik i vendit siç është integrimi europian.

“Detyra jonë konkrete është plotësimi i 12 rekomandimeve. Integrimi është axhenda jonë kombëtare”, tha Patozi, duke shtuar se maxhoranca dhe opozita kanë detyrime të përbashkëta për rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Ai iu drejtua opozitës duke i thënë se ne nuk vëmë kushte, nuk ju imponojmë konceptet.