Tiranë-Institucionet financiare jo banka kanë ruajtur një ecuri pozitive të aktivitetetit edhe gjatë pjesës së parë të vitit 2011.
Sipas informacionit më të fundit të disponueshëm nga Banka e Shqipërisë, për 6-mujorin e parë të vitit 2011, portofoli i kredisë së këtyre institucioneve arriti në 19.8 miliardë lekë, me një rritje prej afro 4% krahasuar me fundin e vitit 2010.
Ndonëse zënë një peshë modeste ndaj totalit të kredisë për ekonominë, me më pak se 4% të totalit, institucionet jo bankare kanë një rol të rëndësishëm veçanërisht në tregun e mikrokredisë dhe në zonat periferike të vendit, ku sistemi bankar është më pak i pranishëm.
Shoqëritë e kursim-kreditit dhe shoqëritë e mikrokredisë janë kryesisht të angazhuara në kreditimin e bujqësisë dhe të profesionistëve në vlera të vogla.
Edhe këto instutcione nuk e kanë shmangur dot përkeqësimin e portofolit të kredisë, që për 6-mujorin e vitit 2011 arriti në 8.1%, nga 5.9% që ishte në fund të vitit 2010. Megjithatë, ky segment i tregut financiar ka pasur një performancë financiare pozitive dhe madje në përmirësim krahasuar me një vit më parë.
Fitimi neto për 6-mujorin pati vlerën e 664 milionë lekëve, me një rritje prej 5.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. (LajmeShqip.com)
Thursday, 05 January 2012 16:26