Përqindja e kredive me probleme do të vazhdojë të luhatet me vlera të ulëta, por tendenca e tyre do të jetë drejt rënies. Enkeleda Hasho, drejtore e Departamentit të Kredisë në Union Bank, shprehet optimiste lidhur me kontrollin e kredive në vonesë.
Sipas saj, gjallërimi i huadhënies së re dhe procedurat shumë më të kujdesshme të bankave në vitet e fundit do të bëjnë që përqindja e kredive me probleme gradualisht të bjerë.
Sipas zj.Hasho, rënia e normës së kredive me probleme mund të nisë që në fund të këtij viti, por pritet të jetë më e shprehur gjatë vitit 2012.
Një faktor tjetër ndihmues, sipas zj.Hasho, pritet të jetë përmirësimi i procedurave të ekzekutimit falë veprimit të përmbaruesve privatë.
Kjo do të mundësojë kthimin në një afat më të shpejtë të vlerës së kredive të humbura, për të cilat bankat kanë nisur procedurat e ekzekutimit të kolateralit.
Kreditë me probleme u rritën përsëri në muajin Gusht dhe arritën nivelin 18%, megjithatë Banka e Shqipërisë dhe bankat tregtare vazhdojnë të ruajnë një optimizëm të kujdesshëm, se puna e bërë në dy vitet e fundit do të fillojë të japë efekte dhe “plaga” e kredive me probleme do të fillojë të mbyllet.
Wednesday, 12 October 2011 13:29