Tiranë- Të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë tregojnë se kredia për sektorin bujqësor është rritur gjatë vitit 2011 me 40%. Në këtë mënyrë është renditur si një ndër sektorët ekonomikë me rritjen vjetore më të lartë.
Sipas Bankës së Shqipërisë, kredia për bujqësinë në fund të vitit të kaluar arriti vlerën e 5.6 miliardë lekëve.
Referuar të dhënave të BSH-së, bujqësia zë vetëm 1.4% kundrejt totalit të kredisë për biznesin, ndërkohë që ky sektor jep mbi 20% të Prodhimit Kombëtar të vendit.
Banka e Shqipërisë ka sugjeruar që rritja e prodhimit vendas duhet të jetë në qendër të modelit të ri ekonomik.
Bujqësia shqiptare në 20 vitet e fundit ka vuajtur nga konkurrueshmëri e ulët, për shkak të nivelit të lartë të parcelizimit të tokës, për shkak të mungesës së teknologjisë në prodhim dhe për shkak të infrastrukturës së dobët rrugore dhe ujitëse.
Sipas INSTAT-it, që nga viti 2005 prodhimi bujqësor është rritur mesatarisht me 3.9% në vit, ndërkohë që ekonomia në tërësi është rritur me 5.3%. Sistemi bankar, veçanërisht në vitet e fundit ka tentuar të përmbushë disa prej nevojave dhe rritja e kreditimit dëshmon vëmendjen në rritje për këtë sektor. (LajmeShqip.com)
Friday, 16 March 2012 14:00