Lajme Shqip Tuesday, 17 January 2012 16:24

Akti normativ që shtyn me tre muaj afatin e faljes fiskale rikthehu në Komisionin parlamentar të Ekonomisë diskutimin për krijimin e garancive ligjore për biznesin që deklaron kapitalin informal.

Të dy palët politike në komision dhe numri dy i Ministrisë së Financave Alfred Rushaj pranuan se në periudhën 6 mujore të faljes, përfituesit më të shumtë kanë qenë qytetarët pasi bizneset i janë druajtur mungesës së garancive në ligj.

Këto garanci mund të krijoheshin vetëm në rast se arrihej miratimi i një amnistie të plotë fiskale, që kërkonte 84 vota parlamentare.

Mungesa e këtyre garancive, e reflektuar në interesin e ulët të bizneseve për të legalizuar kapitalin informal, ka qenë edhe një prej arsyeve kryesore që falja fiskale nuk u shty me 6 muaj.

Duke iu referuar bilancit 6 mujor të faljes fiskale, Rushaj tha se shuma që qytetarët kanë përfituar nga legalizimi i aseteve arrin vlerën e 100 milionë dollarëve, ndërsa numri i familjeve përfituese, mbi 24 mijë.

Gjatë diskutimeve në komision, kampet politike përjashtuan mundësinë e realizimit të një aministie të plotë fiskale në javët në vijim, edhe pse u shprehën parimisht dakort për nevojën e ndryshimit të ligjit. Në fund të diskutimeve, mazhoranca miratoi me votat e saj aktin normativ, ndërsa opozita abstenoi.