Lajme Shqip Tuesday, 18 October 2011 13:13

Kriza ekonomike në vendet fqinjë dhe kryesisht Greqinë, po detyron shumë prej emigrantëve shqiptarë që punojnë atje prej vitesh, të shohin si alternativë kthimin në atdhe dhe vetëpunësimin në biznese private, më së shumti në sektorin e shërbimeve.

Rezultatet zyrtare nga Qendra Kombëtare e Licencimit (QKL) bëjnë të ditur se në 9 muajt e parë janar-shtator, numri i lejeve dhe liçencave të dhëna është rritur 10% më shumë se një vit më parë.

Drejtori i Qendrës Kombëtare të Licencimit (QKL), Edmond Palushi, shprehet se “nga lejet dhe licencat e dhëna, rreth 40% e tyre janë dhënë nga zyrat e QKL-së në rrethe”.

Në 9 muajt e parë ka arritur në 3700 numri për leje dhe licencat për bizneset, nga 3420 që ishin një vit më parë.  Kjo rritje spikat kryesisht në sektorët e shërbimit, çka tregon orientim të ri të tregut nga bizneset, ku vendin kryesor e zënë lejet dhe licencat në sektorë si mjedisi, farmacitë, prodhim dhe tregti me shumicë.

Drejtori i Shërbimit Kombëtar të Punësimit, Thoma Miço, është shprehur së fundi në media se, sivjet janë kthyer 400 emigrantë më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2010.
“Për shkak të krizës dhe rritjes së papunësisë në vendet ku punojnë, pritet që tendenca e rikthimit të tyre të jetë më e lartë”, shprehet Miço.

Nga Korriku 2010 në të gjitha zyrat e punës janë çelur 38 sportele të veçanta për emigrantët e kthyer, pasi mëse gjysma e emigrantëve të rikthyer janë regjistruar në zyrat e punës si punëkërkues dhe për të marrë kurse profesionale.