Lajme Shqip Friday, 24 February 2012 15:20

Tiranë – Tenderi për licencën e tretë 3G është drejt dështimit. Sot në mjediset e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, AKEP, u bë hapja e ofertave, që rezultuan poshtë vlerës së çmimit minimal të kërkuar.

“Eagle Mobile” ofroi 3.55 milionë euro, ndërsa “Plus Communication” ofroi 2.2 milionë euro. Sipas rregullores së tenderit, çmimi minimal i pranueshëm për kualifikimin e ofertave ishte 12.5 milionë euro.

Me sa duket, dy operatorët kanë gjetur mirëkuptim mes tyre për t’i dërguar një mesazh të qartë AKEP dhe ministrit të Teknologjisë së Informacionit. “Eagle” dhe “Plus” janë shprehur në mënyrë të përsëritur se çmimi prej 12.5 milionë eurosh, në këto kushte, është shumë i lartë, ndaj qeveria duhet të ulë kërkesat e saj.

Gjatë ditëve të ardhshme, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave pritet t’i shpallë zyrtarisht të pavlefshme propozimet e “Eagle Mobile” dhe “Plus Communication”, çka do të sjellë edhe dështimin e tenderit. Më tej, AKEP pritet të shpallë një tender të ri, ku çmimi minimal i kërkuar për licencën e tretë 3G të jetë më i ulët.