Tiranë – Zv/ministrja e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Suzana Turku, priti në një takim Ambasadorin e Brazilit në Shqipëri, Ruda G. Seferin, me të cilin u diskutua një mundësi e re bashkëpunimi në fushat që mbulon kjo ministri.
Ambasadori Seferin i propozoi Turkut mundësinë e bashkëpunimit në fushën e sportit, duke qenë se Brazili njihet për shkollë futbolli.
Ruda G.Seferin propozoi marrjen pjesë të Shqipërisë në bursat e trajnimeve 3 javore që jep Ministria e Jashtme e Brazilit për trajnerë dhe gjyqtarë futbolli, me të gjitha shpenzimet e organizatorëve.
Në takim u fol edhe për mundësinë e bashkëpunimit në fushën e turizmit, pasi Brazili mban vendin e 2 në botë si destinacion turistik si dhe për hapjen e marrëdhënieve ligjore ndërinstitucionale mes dy vendeve.
Zv/ministrja Turku i bëri me dije Ambasadorit Seferin se turizmi është prioritet për qeverinë shqiptare dhe se këtë vit Shqipëria është cilësuar nga Lonely Planet si një destinacion që nuk duhet humbur. Gjithashtu, vendi ynë është promovuar në shumë media botërore si dhe është pjesëmarrëse për të promovuar produktin e saj turistik në shumë Panaire Ndërkombëtare.
Ambasadori i Brazilit shprehu konsideratat më të larta për Shqipërinë dhe shqiptarët, si dhe e vlerësoi pasurinë kulturore shqiptare si një ndër më të mirat.
Tuesday, 31 May 2011 19:10