Lajme Shqip Wednesday, 06 April 2011 11:52

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha tha të mërkurën se fushata elektorale do kryhet vetëm me fondet e partisë, ndërsa ndaloi, përmes një urdhri zyrtar, përdorimin e çdo lloj burimi të administratës shtetërore për çështje elektorale.
Berisha deklaroi sot në mbledhjen e qeverisë, se “për maxhorancën kjo do jetë një fushatë elektorale ‘në dietë’, e cila do të kryhet vetëm me fondet e përcaktuara për partinë”.
Kryeministri Berisha nxori sot një urdhër zyrtar, përmes të cilit ndalon në mënyrë të prerë përdorimin e çdo lloj burimi të administratës shtetërore, qendrore dhe lokale në funksion të fushatës elektorale. 
Sipas këtij urdhri, në fushatën elektorale të maxhorancës nuk do të ketë asnjë targë zyrtare, përveç atyre të sigurisë dhe gardës që përmbushin detyra të tjera nga kryeministri dhe çdo zyrtar tjetër. 
Në këtë kuadër, Berisha theksoi se në veprimtaritë e fushatës elektorale, PD do të marrë pjesë me shpenzimet e  partisë. Sipas tij, “fondi i përcaktuar do të ekonomizohet dhe fushata elektorale për zgjedhjet e 8 majit, në të cilat i pari do të jetë qytetari, do të jetë një fushatë ‘në dietë’, pasi ky është interesi i qytetarit”.
Ai bëri të ditur se “ky vendim paraprihet nga një vendim tjetër i një rëndësie të jashtëzakonshme ku nga mbi 3 mijë vetura publike personale të zyrtarëve të lartë, ne i kemi reduktuar në 34, kryesisht për krerët e institucioneve kushtetuese”. 
Kryeministri informoi se personalisht ka porositur marrjen me qera me fondet e partisë të veturës personale, me të cilën do të lëvizë gjatë fushatës dhe theksoi se kjo do të ndodhë me çdo zyrtar të kësaj maxhorance.
“Ne kemi një kuadër ligjor shumë të përmirësuar, pasi kemi miratuar në parlament ligjin e financimit të partive. Urdhri që po nxjerr sot përbën një ndarje nga praktika e shkuar, ku ai që kishte maxhorancën, kishte edhe shumicën e mjeteve”, tha Berisha.
Ai kërkoi nga Policia e Shtetit që të bllokojë çdo mjet zyrtar të në fushatë, ndërsa ftoi Kontrollin e Lartë të Shtetit dhe të gjitha institucionet e kontrollit që të bëjnë kontrolle të rrepta mbi të gjitha fondet, të cilat nuk duhet të lejohen as nga pushteti qendror, as nga ai lokal për shpenzime abuzive.
“Parlamenti ka përcaktuar fonde për çdo parti. Shkalla e mbledhjes së fondeve nga operacionet private është e përcaktuar me ligj. KQZ është autoriteti që kontrollon të gjitha shpenzimet në fushatë, pra duhet të jemi detyrimisht të përkorë në këtë fushatë”, tha Berisha.
Sipas tij, “nuk mund të shkohet drejt zemrave të njerëzve përmes luksit dhe shpenzimeve”. 
“Në këtë fushatë prevalojnë të drejtat politike të çdo qytetari. Ne do të respektojmë plotësisht statusin e punonjësve të adminitratës dhe orarin zyrtar të tyre”, tha Berisha.
Ai njoftoi se ndërsa qeveria do vazhdojë funksionimin normal të saj me mbledhje të rregullta, ato do të spostohen në një orar më të përshtatshëm.
“Ne do të ndjekim rendin tonë të ditës dhe agjencitë do të punojnë me përkushtim të madh, pasi nuk mund të ndërpresim reformat për fushatën elektorale. Kjo është shumë e kushtueshme për vendin”, tha Berisha.