Prishtinë – (E plotësuar) Duke iu përgjigjur interesimit të mediave rreth grupit “Të pakënaqurit”, i cili mori përsipër aktin e shpërthimit të tri veturave zyrtare në kryeqytet, Agron Borovci, zëdhënës i Policisë e Kosovës për rajonin e Prishtinës, tha vetëm se policia është duke punuar për ndriçimin e motiveve dhe rrethanave të këtij rasti.
Një organizatë, ose grup, i cili identifikon veten me “Të pakënaqurit”, përmes një porosie elektronike, që i arriti redaksisë pak çaste më parë, mori përgjegjësinë për djegien e tri veturave zyrtare në disa rrugë të Prishtinës.
Në njoftimin, të cilin po e publikojmë pa asnjë ndërhyrje gjuhësore a tjetër, thuhet: “mbram ne ora 11:45 i kemi kall 3 kerre te qeveris caku i sulmit nuk u kan naj ministri por qeverija e kosoves kerret me 3z jan sulmu per qita. mesazhin e sulmit e gjani ne nje paroll qi u shkru te minisrija e kultures (nmuri) tradhtart e qeveris po e dhajn veriun na jemi kunder dhe t’mllefosun”. (K.D/KTV/LajmeShqip.com)
**************************************************
Prishtine – Kosova është tronditur gjatë orëve të para të ditës së premte, nga shpërthime të shumta.
Në Prishtinë, 3 makina me targa zyrtare kanë shpërthyer e më pas janë mbuluar nga flakët. Shpërthimi i tyre ka ndodhur, teksa kanë qenë të parkuara.
Ende nuk ka një reagim zyrtar të Policisë së Kosovës, ndërkohë që nuk bëhet e ditur as fakti, se kush i kishte në përdorim makinat me targa zyrtare të Prishtinës.
Është mësuar se shpërthimet kanë ndodhur në lagje të ndryshme të kryeqytetit të Kosovës, pikërisht te “Bregu i Diellit”, në “Kodrën e Trimave” dhe në Ulpjanë.
Sipas burimeve të pakonfirmuara, makina që shpërtheu te “Kodra e Trimave” i përket Ministrisë së Kulturës.
Ndërkohë, një tjetër shpërthim është shënuar edhe në qytetin verior të Mitrovicës, nga ku nuk ka njoftime për të lënduar. (LajmeShqip.com)
Friday, 18 January 2013 13:55