Lajme Shqip Monday, 19 November 2012 15:15

Zveçan – Një shpërthim ka ndodhur disa minuta pas mesnate të hënën, në rrugën “Mbreti Petar” në Zveçan, ndërsa një lokal dhe dy vetura civile kanë pësuar dëme materiale, raporton korrespondenti i “Kohës Ditore”.

Policia e Kosovës në lidhje me këtë shpërthim ka theksuar se në bazë të raporteve të para policore mësohet se mjeti shpërthyes, në rrethana ende të pasqaruara, ka shkaktuar dëme materiale në vitrinën e lokalit, përkatësisht xhamat e lokalit si dhe dëme sipërfaqësore mbi dy automjete private, të parkuara në afërsi të vendit ku ka ndodhur ngjarja. Për fat të mirë nuk është raportuar për persona të lënduar.

Merret vesh se policia është duke zhvilluar hetime intensive për të zbuluar shkaqet, motivet dhe rrethanat e këtij akti kriminal, ndërsa kryesit deri në këtë moment mbesin ende të panjohur. Rasti është regjistruar si vepër penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”. (LajmeShqip.com)