Mitrovicë – Një shpërthim i fuqishëm ka thyer xhamat e një banese në qendër të pjesës veriorë të Mitrovicës, të hënë në orët e para të mëngjesit. Shpërthimi ka shqetësuar shumë banorë të asaj pjesë të qytetit.
Policia e Kosovës në Mitrovicë ka konfirmuar shpërthimin si dhe dëmtimin e xhamave të dritares së një banese, duke sqaruar se shpërthimi ishte nga një mjet piroteknik. Burime të tjera kanë theksuar se bëhet fjalë për një granatë dore, që ka shpërthyer si pasojë e qërimit të hesapeve në mesë të grupeve kriminale serbe.
Lidhur me këtë zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, tha se një shpërthim është regjistruar rreth orës një pas mesnatës, në rrugën kryesore në veri të Mitrovicës. Tre xhama të dritareve në një banesë janë thyer. Në bazë të raporteve të para policore, të siguruara nga hetuesit policorë, mësohet se mjeti shpërthyes, me efekt të lartë detonues, por pa aftësi shkatërruese, i cili është aktivizuar nga persona të panjohur në rrugën “Mbreti Petër”, në veri të Mitrovicës, ka shkaktuar dëme materiale të një banesë. Besohet se xhamat e dritareve janë thyer si rezultat i shpërthimit të mjetit piroteknik eksplodues, i cili dyshohet të ishte aktivizuar shumë afër ndërtesës, ku janë thyer xhamave të dritareve.
Ekzaminimi i vendit të ngjarjes është proceduar nga njësitë përkatëse hetimore të stacionit veri dhe teknikëve të kriminalistikës, të cilët kanë gjetur pjesët e mbetura të mjetit shpërthyes piroteknik, ka thënë Hoti. Rasti është regjistruar si vepër penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”. (LajmeShqip.com)
Monday, 04 June 2012 12:01