Një ngjarje e rëndë ka ndodhur orët e para të mëngjesit të sotëm, ku një i ri ka humbur jetën dhe dy të tjerë kanë mbetur të plagosur si pasojë e shpërthimit të një granate në Librazhd.
Mësohet se tre kushurinj ndërsa gërmonin tokën për gjetjen e predhave, të cilat i shisnin për skrap, u ka shpërthyer një granatë. Nga shpërthimi ka gjetur vdekjen e menjëhershme Arben Dosku, 27 vjeç ndërsa dy të plagosurit lehtë vëllai i viktimës Alfred Dosku 21 vjeç dhe xhaxhai Lavdrim Dosku 45 vjeç.
Policia ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes, ajo po vijon inspektimin e zonës dhe po heton për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Reagon Taulant Balla: Kërkoj hetim të plotë nga Policia e Shtetit dhe Prokuroria, shkak keqqeverisja Berisha-Imami
“Si deputet i Librazhdit i kërkoj policisë dhe Prokurorisë të fillojë një hetim të plotë për këtë ngjarje, sepse ky ka qenë një aksident që mund të parandalohej nëse ushtria do ta kishte pastruar zonën. I kërkoj gjithashtu Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë të bëjnë menjëherë pastrimin e pikave të tjera të demontimit që Arben Imami ngriti kudo nëpër Shqipëri. Pavarësisht se Ministria e Mbrojtjes kishte urdhëruar ndalimin e demontinimit deri në plotësimin e të gjitha kushteve dhe kritereve të sigurisë, këto janë pasojat e keqqeverisjes së Berishës dhe Imamit duke minuar deri edhe jetët e njerëzve të pafajshëm,” – thotë Balla.
Saturday, 29 March 2014 16:47