Prishtinë – Aleanca e Gruas së Kosovës (AGK), forum i gruas së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, në mbledhjen e sotme të Këshillit Drejtues, ka diskutuar me vëmendje të veçantë zhvillimet e fundit në skenën politike të Kosovës.
Këshilli Drejtues i Aleancës së Gruas së Kosovës reagoi në lidhje me arrestimet dhe përndjekjet e ish-ushtarëve të UÇK-së, përndjekje të cilat kanë prapavijë politike dhe qëllim të diskreditimit të vlerave të Luftës Çlirimtare.
Anetaret e Aleancës së Gruas së Kosovës shprehën shqetësimin e thellë për burgosjen e Blerim Kuçit, kryetar i Degës së AAK-së në Therandë, kryetar i Komunës së Therandës dhe Sekretar Organizativ i AAK-së.
Këshilli Drejtues i AGK-së mbështeti fuqishëm qëndrimin parimor të Kryetarit Blerim Kuçi, “duke qenë të bindura se puna e tij në Komunën e Therandës dhe në aktivitetet tjera është e nivelit më të lartë”.
Kuçi dhe ish-ushtarët e UÇK-së, luftuan për të mbrojtur, në radhë të parë, pragun e shtëpisë, fëmijët dhe familjet tona, nga pushtuesi serb i cili la pas rreth 15 mijë të vrarë, mijëra të zhdukur, mijëra gra të dhunuara e qindra mijëra shtëpia të shkatërrura. Lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe pikërisht për këtë arsye edhe NATO-ja ndërmori aksionin ushtarak, thuhet në reagimin e këtij forumi të gruas në AAK.
Aleanca e Gruas së Kosovës i bëri thirrje EULEX-it që të punojë në ndëshkimin e kriminelëve të vërtetë të luftës, që shkaktuan dhjetëra mijëra viktima në Kosovë.
Gratë aleanciste kërkuan nga EULEX-i “që të punojë sipas parimeve më të larta të drejtësisë dhe të mos e ndërpresë punën e institucioneve, në këtë rast, të Kryetarit të zgjedhur me votën e lirë dhe në formë demokratike nga qytetarët e Komunës së Therandës”.
Tuesday, 19 April 2011 10:53