Lajme Shqip Friday, 09 March 2012 17:21

Prishtinë-Disa organizata të shoqërisë civile, kundërshtojnë vendimin e Komitetit Drejtues të projektit “Kosova e Re” për pakon tenderuese për termocentralin e ri.

Sipas ligjit, thuhet se qeveria nuk mund të shpall tender për shitjen e aksioneve në ndërmarrje publike, nëse nuk është miratuar një gjë e tillë nga Kuvendi i Kosovës. Duke u nisur nga ky ligj, drejtuesit e disa shoqërive civile, kërkojnë që strategjia e energjisë të diskutohet në Kuvend. Agron Demi nga Instituti për Studime të Avancuara Gap, njëherit këshillon Kuvendin të mos e miratojë strategjinë në formën e tanishme.

 “Ajo cka kërkojmë prej komisioneve parlamentare dhe Kuvendit të Ks në përgjithësi, është që gjatë shqyrtimit të strategjisë 2009- 2018, të ndajnë Ks B prej Ks C, të plotësojnë strategjinë e energjisë me studimet për burimet alternative të energjisë dhe eficiencë të energjisë si dhe të përmendin shprehimisht përqindjen e aksioneve që do të shiten në miniera dhe në gjenerim”-tha Demi.

Shpallja e ftesës për oferta për Ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re, nga Krenar Gashi, prej Institutit për Politika Zhvillimore Indep, është e dëmshme në disa aspekte:

 “Mendojmë se janë vendimet më të gabuara dhe më të dëmshme që janë marrë për Kosovën në sektorin e energjisë dhe njëherit një ndër vendimet më të gabuara dhe më të dëmshme në sektorin e zhvillimit ekonomik në përgjithësi.”

Komiteti Drejtues i projektit “Kosova e Re”, gjatë javës bëri ftesën për oferta për ndërtimin e Termocentralit, në një pako me Kosovën B, me rast qeveria do të kishte 49% të aksioneve në mihje, si dhe bazën negocimi prej  31% të aksioneve në gjenerim. (LajmeShqip.com)