Lajme Shqip Tuesday, 17 May 2011 19:15

Shkup – Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) ditëve në vijim do të shqyrtojë rastin me fillimin e parakohshëm të fushatës parazgjedhore gjegjësisht vendosjen e materialeve propagandistike (bilbordeve) nga ana e VMRO-DPMNE-së para se të fillojë zyrtarisht fushata parazgjedhore.

Një javë para se të fillojë zyrtarisht fushata parazgjedhore gjithë qyteti i Shkupit, u stërmbush me bilborde me pyetjen “A jeni për fitore?”.

Në këto publikime nuk qëndronte emri se kush i ka porositur ato, ndërsa as firmat që janë pronarë të atyre vendeve ku janë shfaqur bibordet nuk kanë dashur të tregojnë se kush është porositësi i këtyre publikimeve. Por, pasi që këtyre ditëve në vend të pyetjes që qëndronte në bilborde u paraqit përgjigjja me moton “Po, reformat do të fitojnë!”, që është identike me sloganin e partisë në pushtet VMRO-DPMNE-së, në bazë të së cilëve nuk është e vështirë që të përcaktosh se kush është porositësi i këtyre publikimeve.

Kjo tregon se partia e Gruevskit para kohe e ka filluar fushatën parazgjedhore dhe ka shkelur Kodin Zgjedhor. Nga VMRO-DPMNE-ja nuk deshën të përgjigjen pse para kohe e kanë filluar fushatën elektorale. Ndërkohë në KSHZ thonë se rasti do të shqyrtohet.

“KSHZ deri më tani nuk ka diskutuar për këtë rast, por gjithsesi se do ta shqyrtojmë dhe do të shohim se kush ka filluar para kohe fushatën parazgjedhore. Por, ingerencat tona janë shumë të vogla dhe se e gjithë kjo nuk është qartë e theksuar dhe definuar me ligj”, deklaroi kreu i KSHZ-së, Boris Kondarko.

Për dallim nga VMRO-DPMNE-ja, Lidhja Social -Demokrate e Maqedonisë (LSDM), në këto zgjedhje nuk do të reklamohet nëpër biborde. Siç ka sqaruar sekretari i përgjithshëm i kësaj partie Andrej Petrov, kandidatët e kësaj partie në frymën e kulturës tradicionale, do të trokasin derë më derë në çdo shtëpi me kafe dhe llokum. Social-demokratët në këto takime të drejtpërdrejta me qytetarët do ti dëgjojnë problemet dhe hallet e tyre.

“Me fushatën parazgjedhore do të tregojmë dallimin midis nesh dhe vullgaritetit të VMRO-DPMNE-së. Gruevski dhe njerëzit e tij kanë humbur ndjenjat e realitetit. Aq kohë nuk kanë qenë në shitore që nuk dinë se sa kushtojnë 100 gram kafe. Kafeja dhe llokumi kushtojnë shumë më pak se sa një bilbord i madh i VMRO-DPMNE-së, të vendosur rrugëve të Shkupit. Ato janë aq të çmendur sa që kanë blerë 300 vende për vendosjen e bilbordeve në gjithë Shkupin”, deklaroi Petrov.