Shkup – Në Sallën e Kuvendit të Komunës së Çairit është bërë të premten promovimi i librit të fundit të Bedri Islamit, me titull “I vërteti (Ali Ahmeti)”, libër autobiografik për njërin nga themeluesit e UÇK-së në Kosovë dhe komandantin e përgjithshëm të UÇK-së në Maqedoni, aktualisht lider i BDI-së, Ali Ahmeti.
Në promovimin e këtij libri, recensentë të të cilit janë prof. dr. Shaban Sinani, prof. Ibrahim Kelmendi, prof. dr. Ylber Sela, morën pjesë studiues e profesorë nga vendi, Kosova dhe Shqipëria, ministra, deputetë dhe funksionarë të tjerë të BDI-së.
Me rastin e këtij promovimi kryetari i komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka thënë se takimi i këtillë lidhet me promovimin librit të krijuesit, studiuesit dhe veprimtarit, si dhe udhëheqësit të një lëvizjeje shqiptare në Ballkan dhe më gjerë, Bedri Islamit, i cili si personazh kryesor ka veprimtarin dhe organizatorin tjetër të njohur dhe bashkëveprimtarin e tij, Ali Ahmetin.
Madje, autori i monografisë “I vërteti (Ali Ahmeti)”, Bedri Islami me rastin e promovimit të këtij libri kushtuar mikut të tij Ali Ahmeti, ndër të tjera, ka thënë se në libër janë thënë disa të vërteta që duheshin thënë, duke theksuar se ato të vërteta kanë ardhur në kohën e duhur.
“Kësaj here kam ardhur me monografinë “I vërteti”, kushtuar një figure të njohur dhe mikut tim, Ali Ahmetit. Ka disa të vërteta që duheshin thënë, po t’i thoja të gjitha të vërtetat që unë i di për Ali Ahmetin, do më duhej të shkruaja libër me 1000 faqe. Emri i Ali Ahmetit lidhet me heronjtë e kombit si Zahir Pajaziti, vëllezërit Haradinaj, Adem Jashari e të tjerë. Ajo që kam shkruar për të nuk mund të zhbëhet më, ajo që ka bërë deri në atë periudhë që është shkruar libri, nuk mund të zhbëhet më, ajo ka ngelur në historinë e kombit tonë. Në këtë libër kam sjellë Ali Ahmetin njeriun luftëtar, njeriun e sakrificës, njeriu që ka dashur Kosovën dhe këto treva më shumë se jetën e tij”, ka thënë shkrimtari Islami.
“Është ky një libër në të cilin në mënyrë jashtëzakonisht të bukur autori ka arritur të bashkërendisë dhe gërshetojë artin me historinë, duke na ofruar të vërteta të faktografuara për një periudhë mjaft të gjatë dhe përplot sfida. Ky libër është edhe një dëshmi e përkushtimit të këtyre njerëzve të sakrificës që çështjen kombëtare ta çojnë deri në fund. Pikërisht këtë arsye dëshiroj ta theksoj nevojën e dokumentimit të historisë sonë më të re nëpërmjet botimit dhe promovimit të librave të ngjashëm, me qëllimin e vetëm që historia mos të na përsëritet ndërsa proceset integruese kombëtare të vazhdojnë deri në realizimin e synimeve tona”, ka thënë kreu i Çairit Izet Mexhiti. Madje, shkrimtari kosovar Adem Gashi ka thënë se ky libër është titulluar “I vërteti” sepse e vërteta është vlerë universale e njerëzimit. Ai këtë botim e cilësoi si dosje.
“Motivimi i këtij libri vjen nga opinioni publik i shfaqur nëpër disa media elektronike fillimisht këtu në Maqedoni pastaj gjithandej botës shqiptare. Nëse duam t’i japim një emër këtij fenomeni pa hamendje mund ta quajm dosje. Dosja është një fenomen që trazon kureshtjen e njerëzve që ngacmon sedrën e krijuesve. Dosja ka kuptim të dyfishtë fiktiv dhe real. Në jetën e shqiptarëve sot janë të pranishme të dyja. Edhe krijimi i Bedriut në kuptimin real është një dosje”, ka thënë nga ana tjetër, shkrimtari Gashi.
Disa nga veprat e botuara të Bedri Islamit janë: “Shtigje të hapura”-poezi, “Sytë e Margaritës”- poezi, “Hija mes dy njerëzve”- dramë, “Portat që flasin”- dramë, “Vrasja e Lulit të vocër”- roman, “Ajo që doja të thoja” publicistikë, “Shansi i fundit”- publicistikë dhe “I Vërteti (Ali Ahmeti)” monografi.
Friday, 22 April 2011 17:41