Shkup – Mbi 10 kandidatë për deputetë në listat e partive politike për zgjedhjet parlamentare të 5 qershorit rezultojnë të dalin si ish-bashkëpunëtorë të shërbimeve sekrete.
Nga Komisioni për lustrim kanë bërë të ditur se kandidatë të dyshuar janë nga disa parti politike dhe se pritet verifikimi i tyre, pasi që janë në shqyrtim e sipër dosjet e tyre. Komisioni nuk ka dhënë asnjë hollësi se për cilët kandidatë dhe nga cilat parti vijnë ata, mirëpo, siç mësohet jozyrtarisht, kandidatët për deputetë janë edhe nga disa parti politike shqiptare.
Emrat e kandidatëve që po verifikohen nuk janë si bartës të listave, por ata janë në kuadër të tyre. Komisioni për Lustrim deri në ditën e zgjedhjeve do të vlerësojë se cili nga kandidatët ka qenë bashkëpunëtor dhe nuk mund të jetë në listat e deputetëve, ndërsa nuk lejohet korrektimi i listave.
Komisioni për verifikimin fakteve, të enjten, duhej të kumtojë se deri ku është ilustrimi i kandidatëve për deputetë, që i kanë propozuar partitë.
Kryetari i Komisionit të Lustrimit, Tome Axhiev, ka thënë se dokumentet për të gjithë kandidatët për deputetë janë dërguar në organet shtetërore, ku pritet informatë kthyese nëse është paraqitur ndokush nga ata në evidencën e shërbimeve të mëparshme.
Thursday, 26 May 2011 23:32