Shkup – Kryetari i Demokracisë së Re (DR), Imer Selmani, i shoqëruar nga bashkëpartiakë të tij, ka vizituar të hënën familjen e Shkodran Idrizit, njëri nga të akuzuarit për rastet e Hagës, i cili ditë më parë u lirua pas dy viteve të kaluara në burg. Selmani ka ndarë gëzimin me familjarët e Idrizit, duke shprehur gatishmërinë e tij të plotë për të ndihmuar në të gjitha format dëshmimin e pafajësisë së Idrizit. Selmani ka theksuar se burgosja e Idrizit, por edhe e djemve tjerë ndodhi me fajin e BDI-së e cila lejoi procesuimin e katër rasteve të Hagës. “BDI-ja e ka borxh para popullit dhe para Zotit të përgjigjet pse lejoi që këta djem të rinj të cilët rrezikuan jetën, sakrifikuan veten, familjen dhe të ardhmen e tyre sot të dergjen nëpër burgje pa pikë faji”, ka thënë Selmani gjatë takimit me familjarët e Idrizit. Më tej, duke përcjellë porosi për të gjithë shqiptarët, ai ka siguruar Idrizin se DR-ja si pjesë e Qeverisë së ardhshme do të kërkojë ndërprerjen e procesuimin të katër rasteve të Hagës në gjykatat e vendit në bazë të Ligjit për amnisti të vitit 2002 dhe lirimin e të gjithë të burgosurve dhe të akuzuarve për këto raste.
Monday, 25 April 2011 17:07