Lajme Shqip Thursday, 26 May 2011 21:29

Shkup – Zgjedhjet e 5 qershorit janë shumë të rëndësishme për ardhmërinë e Maqedonisë, prandaj vëzhgimi i tyre, i cili duhet të sigurojë se ato do të jenë të lira, korrekte dhe në pajtim me standardet, presim që Maqedonia si vend evropian t’i përmbushë, sepse është shumë e rëndësishme për ne. Këtë e ka bërë të ditur ambasadori i SHBA-së, Filip Riker në takimin e të enjtes me Darko Aleksovin, drejtor ekzekutiv i MOST-it, i cili do t’i monitorojë zgjedhjet në kuadër të projektit “Vëzhgimi vendor i Zgjedhjeve të parakohshme parlamentare 2011”.

“Jemi të kënaqur që mundemi t’i mbështesim këto përpjekje. MOST-i është në pozitë shumë të mirë ta bëjë këtë si organizatë e pavarur, gjegjësisht organizatë e qytetarëve, ndërsa këto zgjedhje janë për qytetarët e këtij shteti, të cilët duhet të prononcohen se çfarë ardhmërie dëshirojnë. I inkurajoj të gjithë qytetarët të dalin në zgjedhje që të votojnë dhe njëherit ta mbajnë në mend e të dinë se vota e tyre është e fshehtë. Nuk ka vend në zgjedhje për çfarëdo lloj frikësimesh”, ka thënë Riker.

Ambasadori amerikan nënvizoi s’e bashkësia ndërkombëtare me vëmendje do t’i ndjekë zgjedhjet, ndërsa OSBE-ja dhe ODIHR-ja do të dalin me raportin e tyre pas përfundimit të zgjedhjeve. Ndërkohë, Aleksov i ka shpjeguar ambasadorit Riker për aktivitetet e tyre lidhur me këtë projekt, si dhe mënyrën në të cilën po e realizojnë monitorimin, i cili, sipas tij është konstante në nëntë vitet e fundit dhe është në pajtim të plotë me standardet ndërkombëtare, për vëgzhim vendor të zgjedhjeve. Ai ka shtuar se bashkarisht kanë konstatuar se standardet dhe procedurat duhet të respektohen, si në pjesën e zbatimit të procesit zgjedhor, ashtu edhe në pjesën e vëzhgimit vendor të zgjedhjeve, për çka morëm mbështetje pa rezervë.

USAID-i është pjesë e organizatave ndërkombëtare, të cilat financiarisht e mbështesin MOST-in për realizimin e Projektit për vëzhgim të zgjedhjeve.