Lajme Shqip Thursday, 19 May 2011 20:33

Shkup -Pa i zgjedhur mjetet se si edhe njëherë ta mashtrojë popullin e vet, BDI-ja pa asnjë fije turpi nisi një fushatë tepër luksoze që kërkon shpenzimin e qindra mijëra eurove. Ky është reagimi i Rilindjes Demokratike Kombëtare (RDK), ndaj fushatës luksoze të BDI-së.

“Në një konventë, që më shumë i ngjante një dasme të shtrenjte , popullit tani më iu bë e qartë se ku kanë shkuar dhe ku do të mbarojnë paratë e tyre. Ata për shumë vjet qeverisje nuk patën para të mjaftueshme që të paktën deri diku ta përmirësojnë jetesën e qytetarëve, por ja që tani paskan aq shumë për ta promovuar veten në mënyrë megalomane në programe të shumta të paguara televizive dhe media tjera”, thuhet në reagimin e RDK-së.

Partia e Osmanit, vlerëson se ky subjekt politik, nëse jo më shumë e ka obligim moral që qytetarëve të cilët i lanë në varfëri të madhe, t’u tregojnë se burim i këtyre parave janë vetë qytetarët.

“Kaloi koha e vetëreklamimit të rrejshëm. Qytetari kërkon rezultate konkrete. Ata nuk kanë të drejtë ta nënçmojnë qytetarin duke kujtuar se besimi blihet me para. BDI-ja nisi një fushatë luksoze, dhe kush e di se si do të vazhdojë. Por, jo gjithmonë Luksi i tepruar sjell dobi e rezultate”, thuhet më tej në reagimin e RDK-së së Osmanit.