Lajme Shqip Friday, 16 September 2011 10:48

Shkup – Gjykata e Shkupit ka mbyllur edhe rastin e Neproshtenit, i cili kishte të bënte me zhdukjen e 12 maqedonasve gjatë konfliktit të vitit 2001, për të cilën akuzohej edhe ish-deputeti Daut Rexhepi-Leka. Mbyllja e rasteve të Hagës, sipas analistëve në vend, është një ndër elementet kyçe në kthimin e besimit të qytetarëve shqiptarë tek institucionet e sistemit, sidomos në gjykatat vendore. Ish-shefi i diplomacisë dhe analist politik, Sllobodan Çashule, ka thënë se mbyllja e rasteve është një hap tejet i rëndësishëm në kthimin e besimit në mes të dy bashkësive më të mëdha.

“Ky hap është në drejtim të duhur, edhe pse ndoshta do të duhet kohë. Kjo çështje për familjarët do të jetë e dhimbshme, por do të shkojë në dobi të shtetit, kthimit të besimit dhe relaksimit të raporteve ndëretnike dhe do të ngjallë besimin tek njëri-tjetri”, ka thënë Çashule, duke shtuar se partitë politike maqedonase edhe shqiptare qofshin edhe partnerët e koalicionit, tani më lehtë do të mund të bashkëpunojnë në integrimin e vendit, pa pasur ndonjë hipotekë për të kaluarën.

Sipas profesorit universitar, Rizvan Sulejmani, dhjetë vite janë periudhë e mjaftueshme që të bëhen analiza se çfarë i solli Maqedonisë ky konflikt.

“Paqe, perspektivë dhe pranimin e shtetit nga ana e bashkësisë më të madhe etnike, nëse konflikti i vitit 2001 solli unifikimin e shtetit, atëherë kjo duhet të pranohet si vlerë. Mbyllja e rasteve të Hagës në këtë mënyrë nuk premton shumë. Kjo çështje edhe më tej do të jetë atraktive dhe do të shihet si një fushë ku mund të përfitohen poena politikë nga ana e partive politike”, ka thënë Sulejmani.

Sipas analisti politik, Ylber Sela, mbyllja e këtyre rasteve do të sjellë frymë të re në raportet mes maqedonasve dhe shqiptarëve.

“Mbyllja e rasteve të Hagës padyshim se do të ndikojë në përmirësimin e raporteve ndëretnike në Maqedoni, por edhe do të përmirësojë imazhin e Maqedonisë përpara faktorit ndërkombëtar, pasi që ligji për amnisti ishte në koordinim me ata. Ky shtet të kaluarën duhet ta lë në histori. Orientimi duhet të jetë në të ardhmen. Orientimi duhet të jetë në integrimin e vendit drejt Bashkimit Evropian (BE) dhe jo kah e kaluara. 2001 duhet të mbetet në histori. Cak kryesor duhet të jetë integrimi i vendit në strukturat euroatlantike”, ka thënë analisti Sela. (LajmeShqip.com)