Shkup – Me vendimin zyrtar të Bashkimit Evropian (BE) për largimin e euroambasadorit, Piter Sorensen pas tre muaj nga ardhja e tij në Maqedoni, analistët vlerësojnë se BE-ja shfaq shenja të largimit të fokusit të interesit nga Maqedonia, ndërsa, vendi ka gjasa që gjatë kohë të mbetet pa euroambasador për shkak të procedurave të gjata dhe të komplikuara për të zgjedhur të ri. Sipas paralajmërimeve të mediave boshnjake, pikërisht në periudhën e zgjedhjeve nuk do të kemi përfaqësues zyrtar të BE-së në vend sepse Sorensen ka mundësi të largohet me urgjencë më 1 qershor. Sipas burimeve diplomatike, për të zënë vendin e Sorensenit më të interesuar janë sllovenët të cilët dëshirojnë të marrin rol aktiv në krijimin e politikave evropiane në Ballkanin Perëndimor. Megjithatë, askush nuk dëshiron të spekulojë kur do të zgjidhet i njëjti. Sipas burimeve, në lojë janë edhe Hungaria me Çekinë, të cilat janë ndër shtetet që përkrahin Maqedoninë në rrugën e eurointegrimeve. Ata vlerësojnë se mund të krijojnë balanc mes aspiratave për anëtarësim të vendit dhe kritikave të zyrtarëve evropian ndaj qeverisë për plotësimin jo të mjaftueshëm të reformave. Ndërkaq burimet diplomatike në Shkup theksojnë se largimi i Sorensenit në Bosnjë tregon se kemi humbur pozitën e favoritit në Ballkan.
“E dini se para disa viteve pas Kroacisë vinte Maqedonia me punën e bërë në rrugën e eurointegrimeve. Tash BE-ja e sheh interesin tonë, punën tonë ndaj tyre dhe thjeshtë e kthen në atë mënyrë”, thonë analistët. Më tej, sipas analistit Mersel Bilalli është e qartë se qeveria e ka sjellë punën që Maqedonia të jetë në margjinat e agjendës së Brukselit.
”Nëse largohen diplomatët e mirë nga vendi kjo do të thotë se nuk jemi të interesuar për ju parimisht për shkak të mosinteresimit tuaj dhe gabimeve tuaja ndaj neve. Kështu e perceptoj vendimin e BE-së”, ka thënë Bilalli. Sipas tij, Sorensen ka kryer punë të mirë në Maqedoni, mirëpo duke u bazuar në përvojat me ndërkombëtarët në vend dhe nivelin e politikanëve tanë, megjithatë kemi nevojë për kritika më të hapura. Sorensen mori postin e ambasadorit të BE-së më 1 mars si pasardhës i Ervan Fueres. Deri më sot puna e tij ka qenë korrekte por opinioni ka shprehur bindje se ai mbetet i mbyllur për opinionin ndërsa porosia e tij e fundit kishte të bëjë me atë se Qeveria nuk duhet të largohet nga rruga e eurointegrimeve për shkak të proscesit zgjedhor. Nga kabineti i delegacionit të BE-së në Shkup tani për tani nuk duan të komentojnë për pasardhësin e tyre, por kanë thënë se detyrën e përkohshme do ta kryejë Robert Lidell. Lajmin zyrtar për largimin e diplomatit Sorensen e bëri të ditur të hënën Shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton. Sipas saj, Sorensen kishte qenë më i miri për të vazhduar punën e tij diplomatike në Bosnjë e Hercegovinë. Diplomati danez, Piter Sorensen është jurist i diplomuar dhe gjatë këtyre viteve ka patur poste të rëndësishme në të gjitha vendet e ish Jugosllavisë.
Tuesday, 31 May 2011 17:26