Shkup – Ndryshimet dhe plotësimet në ligjin për dokumentet personale, me të cilat parashihen dënime për personat të cilët bëjnë keqpërdorimin e liberalizimit të vizave ka shkaktuar debate të ashpra mes deputetëve të pozitës dhe atyre të pushtetit në komisionin parlamentarë të sistemit politik dhe marrëdhënieve mes bashkësive.
Deputetët e opozitës shqiptare kanë kundërshtuar ndryshimet në ligjin për dokumentet personale pasi që sipas tyre me këtë, “po shkelet kushtetuta e Maqedonisë dhe cenohet e drejta e lëvizjes për qytetarët e vendit”.
Sipas tyre, propozim ndryshimet në ligjin për dokumentet personale janë në kundërshtim me kushtetutën e Maqedonisë, pasi që me atë qytetarëve të Maqedonisë u kufizohet e drejta e lëvizjes, kushtetuta është e qartë dokumentet personale mund tu merren personave që ndjekin me procedurë penale, janë rrezik për shtetin dhe mbrojtjes së shëndetit në njerëzve”.
“Parandalimi i migracionit nuk bëhet në këtë mënyrë, migracioni mund të parandalohet vetëm në rast se atyre qytetarëve u siguroi kushte të volitshme për jetë. Jo rastësisht zyrtarët belg nuk erdhën të vizitojnë Parlamentin e Maqedonisë, por zonat nga ku vijnë emigrantët”, ka thënë deputeti i Partisë Demokratike Shqiptare, Zijadin Sela i cili në mënyrë direkte ka pyetur zv/ministrin e policisë se si do të mund të parandalohen rastet që kanë të bëjnë me marrjen e mitos, respektivisht, “çfarë do të ndodhë në rast se polici kërkon nga një qytetarë mitë dhe ai nuk ia jep”.
E gjithë kjo sipas PDSH-së, do të ndikojë që mijë qytetarë të humbin vendet e tyre të punës në vendet ku punojnë vetëm për shkak të vullnetit të atij polici i cili nuk ka fituar atë që ka kërkuar.
“Çfarë do të ndodhë me këta qytetarë a do t’u merret pasaporta, atyre qytetarëve të cilët do të refuzojnë t’i japin mitë policit. Kërkojë nga deputetët që të jenë të kujdesshëm vetëm më një ngritje të gishtit të deputetëve të kësaj përbërje parlamentare ne mund t’ua vrasim të ardhmen qindra mijëra njerëzve të këtij shteti. Logjika e të pasurit shtet është që ai shtet të mbrojë e jo të dënojë”, ka thënë më tej deputeti Sela.
Pohimet e tilla janë kundërshtuar nga ana e zëvendësministrit të Punëve të Brendshme Xhelal Bajrami. Sipas numrit dy të policisë ndryshimet në ligjin për dokumentet e udhëtimit kanë për qëllim parandalimin e migracionit ilegal të qytetarëve të Maqedonisë dëshirojnë të përfitojnë nga liberalizimi i vizave. Sipas tij liberalizimi i vizave nuk mund të jetë peng i keqpërdorimi të një grupi personash të cilët keqpërdorin liberalizimin e vizave.
“Ndryshimet në ligjin për dokumentet personale ka vetëm një qëllim parandalimin e migracionit ilegal. Ky ligj vlen vetëm për qytetarët e Maqedonisë të cilët nuk kanë status të rregulluar në ndonjë shtet tjetër , ky ligj nuk u dedikohet qytetarëve të Maqedonisë që jetojnë nëpër vende të ndryshme të Evropës. Dënime me marrjen e pasaportës do të ketë vetëm për ata persona të cilët dëbohen nga ndonjë shtet i BE-së për shkak të keqpërdorimit të liberalizimit.
Maqedonia nuk mund t’u imponojë shteteve të BE-së se kurë ata do të dëbohen nga ai vend”, ka deklaruar zv/ministri i policisë, Xhelal Bajrami. Me ndryshimet e reja në dokumentet personale parashihet që t’u merret pasaporta atyre qytetarëve të cilët po bëjnë keqpërdorimin e liberalizimit të vizave në afat kohorë prej një viti. (LajmeShqip.com)
Monday, 12 September 2011 18:18