Lajme Shqip Sunday, 17 July 2011 18:53

Shkup – Partitë opozitare, PDSH dhe RDK, theksojnë se do të reagojnë ashpër në seancën e caktuar për të hënën lidhur me votimin e ndryshimeve të Ligjit për simbolet kombëtare, gjegjësisht përdorimin e flamurit kombëtar shqiptar.

Nga PDSH theksojnë se BDI, përveç skandalit me ndryshimet e Ligjit për gjuhën shqipe, gjithashtu do të bëjë një shkelje dhe tradhti të radhës edhe për përdorimin e simboleve kombëtare, ku sërish nuk plotësohet e drejta e përdorimit të flamurit kombëtar shqiptar. Gjithashtu edhe RDK dhe deputeti i saj, Izet Zeqiri, janë gati për të ballafaquar argumentet e tyre kundër propozimeve për ndryshimet e Ligjit për simbolet. Deputeti Zeqiri theksoi se këto ndryshime kënaqin vetëm BDI-në dhe asnjë rast shqiptarët në Maqedoni.

Dy partitë opozitare parlamentare po përgatisin argumente të forta kundër qeverisjes së re edhe gjatë  votimit të saj në seancën e paralajmëruar për javën e ardhshme, ku do të drejtohen kritika në adresë të partisë shqiptare BDI. Deputetët e grupit parlamentar të PDSH-së bllokuan foltoren e parlamentit gjatë debatit për propozim-ndryshimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Shkak për këtë ka qenë replika e deputetes së BDI-së Ermira Mehmeti-Devaja, e cila ka akuzuar PDSH-në se në kohën kur ishte në koalicion VMRODPMNE- në, kishin përgatitur, siç tha, komplot për vrasjen e shqiptarëve. “Në vitin 2006-2008 ju në koalicion me VMRO-DPMNE-në, në komplot së bashku me kryeministrin e atëhershëm Nikolla Gruveski, në qershor të vitit 2008, keni vrarë shqiptarë”, ka thënë deputetja Ermira Mehmeti- Devaja. “Akuzat e Ermira Mehmetit janë serioze, prandaj kërkoj që në emër të grupit parlamentarë të PDSH-së të vjen kryeministri Gruveski dhe të shpjegojë se për çfarë skenari bëhet fjalë”, ka thënë deputeti i PDSH-së, Imer Aliu.