Shkup – Partitë politike shqiptare në Maqedoni kanë reaguar lidhur me nismën e një grupi intelektualësh shqiptarë, të quajtur “G21”.
Dy ditë më parë ata promovuan iniciativën për zhbllokimin e proceseve euro-integruese të vendit, përmes debateve publike dhe diskutimeve të hapura në lidhje me të gjitha pengesat që ndalojnë hapërimin e Maqedonisë në NATO dhe BE.
Nga partia e Ahmetit, BDI, kanë thënë se zgjidhja e kësaj çështjeje serioze iu përket institucioneve, PDSH e Thaçit ka zgjedhur të mos komentojnë deri në konsolidimin e plotë të G21-shit, derisa nisma e tillë, me një dozë skepticizmi është komentuar nga RDK-ja e Osmanit.
Në BDI konsiderojnë se për zgjidhjen e procesit mekanizmat institucionalw kanë mandat dhe përgjegjësi. “Në shoqëritë demokratike debatet janë të zakonshme. Ato mund të jenë produktive ose e kundërta, varësisht prej qasjes dhe qëllimeve që rrijnë prapa tyre. Por, integrimet euro-atlantike janë çështje serioze, që kërkojnë angazhime dhe koncensus të përgjithshëm shoqëror, por edhe obligim i institucioneve shtetërore. Për BDI, integrimet mbeten prioriteti kryesor për të cilin jemi të angazhuar nëpërmjet mekanizmave institucionalw, që kanë mandat dhe përgjegjësi për këtë proces”, ka thënë zëdhënësi Bujar Osmani.
Edhe RDK e Osmanit ka thënë se mbështetw çdo iniciativë për debllokim të proceseve euro-integruese, mirëpo është pesimiste për suksesin eventual të kësaj nisme. “Në parim, çdo iniciativë e cila ka për qëllim zgjidhjen e çështjes së emrit dhe debllokimin e proceseve integruese të vendit është e mirëseardhur dhe normalisht që e mbështesim. Nga se të gjithë e dimë se problemi qëndron vetëm te Qeveria aktuale, e cila nuk ndërmerr asgjë për të dalë nga situata, vështirë së ky grup intelektualësh do të arrijnë të ndryshojnë diçka apo të shtyjnë atë të zgjidh problemin”, ka thënë Fadil Zendeli nga RDK-ja.
Që nga paraqitja e parë e këtyre intelektualëve, ata kanë kritikuar ashpër veprat e Qeverisë dhe e kanë vlerësuar si të pasinqertë thirrjen e kryeministrit Nikolla Gruevski për bashkim të të gjithëve. Në këtë klub janë emra të njohur për opinionin shqiptar, si Xhevdet Hajredini, Mersel Bilalli, Albert Musliu, Mahi Nesimi, Flora Kadriu e të tjerë.
Pasi që çështja e emrit fillimisht paraqet pengesën më të madhe për çeljen e rrugës së integrimeve, nisma e tyre synon stimulimin e Qeverisë për të gjetur zgjidhje dhe me të hapjen e perspektivës së të rinjve në të ardhmen. Sipas, tyre, Maqedonia është peng i një politike ditore, tani por edhe në të kaluarën.
“Ne si qytetarë, në këtë bllokadë të procesit integrues jemi pesë vite, dhe konsideroj se mbahemi në këtë izolim me një mekanizëm artificialisht të krijuar enkas nga qeveria për të penguar mu këtë proces”, ka thënë analisti Mersel Bilalli. (LajmeShqip.com)
Monday, 19 September 2011 14:37