Lajme Shqip Saturday, 30 April 2011 08:18

Shkup – Në operacionin e koduar “Besa” të policisë së Maqedonisë në bashkëpunim me policinë bullgare mbrëmjen e të premtes janë arrestuar 11 veta, anëtarë të një grupi ndërkombëtar të trafikimit me lëndë narkotike.

Në këtë operacion të realizuar në bashkëveprim edhe me Interpolin janë kapur 10 kg drogë heroinë të cilësisë së lartë, që ishte pjesë e kanaleve të kontrabandës Turqi-Greqi-Maqedoni, dhe që ishte dedikuar për tregun evropian.

Droga ishte zbuluar në një makinë të tipit “Reno Laguna” që drejtohej nga 26 vjeçar G.M nga Petriçi i Bullgarisë, derisa po hynte në Maqedoni përmes vendkalimin kufitar “Dojrani i Vjetër”. Gjatë kontrollit të veturës së tij janë gjetur 20 pako me drogë me paketime nga 500 gramë heroinë.

Në këtë operacion më pas policia ka kapur edhe 11 persona të tjerë, mes tyre edhe një zyrtarë policie, ndaj të cilit vitin e kaluar ishte ngritur kallëzim penal, për shkak të lejimit të dy shtetasve të Kosovës për kalim ilegal të kufirit. Gjithashtu është arrestuar edhe një i punësuar në burgun e Idrizovës si dhe një person i dënuar në këtë burg, i cili gjatë vikendeve shoqërohej dhe bashkëorganizonte aktivitetet e trafikimit të drogës.

Me urdhër të gjykatës janë kryer bastisje dhe kontrolle në disa shtëpi tek 16 shtetas të dyshuar në Shkup dhe Veles. Organet policore po vazhdojnë hetimet në bashkëveprim me policitë e rajonit për të zbardhur rrjetin e organizuar të trafikimit të drogës.