Shkup – Në fshatin Orllancë të Shkupit nxënësit vazhdojnë të bojkotojnë procesin edukativo-mësimor. Lidhur me këtë problem në komunën e Haraçinës të martën për vizitë qëndroi Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Safet Neziri. Ai u prit nga kryetari i komunës së Haraçinës, Bastri Bajrami, me të cilin zhvilloi takim qëllimi i së cilës ishte njohja me problemin në arsim që po ballafaqohet banorët e fshatit Orllancë të komunës së Haraçinës.
Problemi i arsimit fillor deri në klasën e nëntë bëri që ata të vizitojnë edhe shkollën fillore në Orllancë, që të njihen përafërsisht me problemin që ballafaqohet shkolla fillore në këtë fshat.
Zv/ministri Neziri para banorëve të Orllancës tha se problemin me të cilën ballafaqohet shkollimi fillor në Orllancë do të jetë i harruar, por për një gjë të tillë duhet një kohë sepse procedurat për një gjë të tillë duhet të respektohen.
“Vërtet mungesa e shkollimit fillor deri në klasën e nëntëvjeçare ka revoltuar banorët dhe me të drejtë po bojkotojnë. Së bashku me kryetarin e komunës Bajrami, biseduam me banorët dhe ky problem do të zgjidhet. Mirëpo për një gjë të tillë duhet kohë sepse ka procedura që duhet të respektohen”, deklaroi Neziri. Por, banorët ishin këmbëngulës se bojkotin do ta vazhdojnë.
Edhe kryetari i komunës, Bajrami, tha se problemi me shkollimin fillor deri në klasën e nëntë me vite është problem në këtë fshat, ku për të njëjtën ka kërkuar shumë herë nga Ministri e Arsimit dhe Shkencës që të tejkalojnë këtë problem, mirëpo ka hasur në vesh të shurdhër.
“Vërtet shkollimi fillor deri në klasë të nëntë është i nevojshëm në këtë fshat, sepse fëmijët deri në klasën e pestë mësojnë këtu, pastaj janë të detyruar të udhëtojnë deri në Haraçinë për të ndjekur edhe katër vite tjera. Shumë herë kam kërkuar që të intervenohet në kryerjen e këtij problem, por deri tani nuk kemi marrë kurrfarë përgjigje pozitive. Ka hapësirë. Duhet vetëm pëlqim nga Ministria e Arsimit dhe e Financave. Kemi të mbledhura edhe nënshkrimet nga 217 prindër të këtij fshati dhe tani fal Zotit kemi edhe Zv/ministrin shqiptarë në këtë dikaster dhe shpresojmë që sa më shpejt të merr fund ky problem”, u shpreh Bajrami. Ndërsa më të revoltuar ishin banorët e fshatit Orllancë, të cilët kërkonin që problem me shkollimin fillorë për fëmijët e tyre të krihet sa më parë, sepse bojkoti do të vazhdojë edhe më tej.
“Është katastrofale, shekulli 21, ne ende s’kemi shkollim kualitativ. Pra shkollim ku fëmijët tanë do të përfundojnë aty ku fillojnë. Fëmijët tanë për katër vite tjera shkollim fillor duhet të udhëtojnë deri në Haraçinë e që është një rrugë e gjatë për të udhëtuar. Patëm takim me Zv/ministrin dhe kryetarin e komunës të cilët na premtuan se për disa muaj do të mundohen ta mbyllin këtë çështje, por edhe më tej fëmijët tanë do të bojkotojnë mësimin”, tha një banorë i Orllancës. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 13 September 2011 16:26