Shkup – Zv/kryeministri i Maqedonisë, Abdilaqim Ademi ka vlerësuar të shtunën se Marrëveshja e Ohrit është proces i pandalshëm dhe një bazë e fort për ndërtimin e marrëdhënieve të mira ndëretnike e ndër-fetare, për forcimin e besimit të qytetarëve, që duhet angazhim jo vetëm të një faktori, por një kontribut i të gjithëve në krijimin e klimës së besimit për implementimin në praktikë të këtyre vlerave që hapin rrugë në drejtim të integrimeve euroatlantike. Këtë qëndrim ai e bëri të ditur në hapjen e simpoziumit me temë: “Marrëdhëniet ndëretnike dhe ndër-fetare në Maqedoni-Ndikimi i mediave në krijimin e opinioneve dhe formimin e qëndrimeve”, që u organizua nga Forumit Rinor Islam mbështetur nga Sekretariatit për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit.
“Këtë vit shënojmë 10 vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, marrëveshje kjo që paraqet shtyllën e marrëdhënieve ndëretnike në vend. Andaj nevojitet përkushtim më i madh i të gjithë faktorëve, përfshirë këtu edhe sektorin civil që ky dokument të implementohet në përgjithësi. Duhet të theksohet se kjo është marrëveshja që solli një unitet dhe një kualitet të dialogut në shtet. Kjo është një shtyllë për bashkëpunimin ndëretnik. Për arritjen e këtyre qëllimeve, rëndësi të madhe ka zhvillimi i dialogut të përhershëm ndërmjet komuniteteve etnike dhe fetare”, ka thënë zv/kryeministri Ademi.
Madje, Ademi ka thënë se FRI është njëra nga organizatat që ka fituar grand nga Sekretariati për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit në bazë të programit për mbështetje financiare të Fondacioneve dhe Shoqatave në vend .
“Në këtë drejtim duhet inkurajim edhe i aktorëve politik por edhe i shoqërisë civile, që përmes fushatave të ndryshme, siç është edhe ky simpozium, të rrisin vetëdijen e opinionit dhe t’i bindin qytetarët se sa është e rëndësishme që marrëdhëniet ndëretnike e ndër-fetare të jenë në një stad të lartë shoqëror”, ka shtuar Ademi. Sipas tij, mediat mund të japin një kontribut të konsiderueshëm në ndërtimin e marrëdhënieve të mira ndëretnike e ndër-fetare në vend.
Saturday, 30 April 2011 17:39