Lajme Shqip Monday, 30 May 2011 20:27

Shkup – Gjatë kësaj jave qytetarët kanë pasur mundësi të shohin kandidatë të çuditshëm, që nga ata më të shkolluarit, të cilët janë shpreh para masës me një fjalor më të kulturuar e deri tek ata të cilët kanë thënë gjithçka që ju ka ardhur nëpër gojë. Por, kryesisht fjalët e përdorura në fushatë janë fjalë të njohura për publikun dhe votuesit potencial. Që nga fillimi i fushatës parazgjedhore, liderët e partive politike, dhe kandidatët për deputet kanë një retorikë më të thjeshtë të shprehjes, e cila herë ka në vetë fyerje të rënda, të cilat i drejtohen oponentëve të tyre politik, duke mos i vënë kujdes fjalorit.

Për doktorin e gjuhës dhe letërsisë Berton Sylejmani, kjo është një gjë e pritur, sepse sipas Sylejmanit tani çdo njeri mund të jetë në listën e deputetëve. “Pikësynim i të gjithë atyre kandidatëve është që të jenë sa më afër popullit, ndoshta duke e nënvlerësuar ndonjëherë edhe vetën dhe e sjellin në një nivel me qytetarët, vetëm sa për të marrë besimin e tyre. Po ashtu duhet të kemi parasysh edhe atë se sot çdo njëri mund të jetë deputet, sepse nuk ka asnjë kriter i cili filtron individët se kush mund të jetë deputet e kush jo. Mirëpo, politikanët tanë edhe kur nuk është fushatë, ato kanë problem me theksimin e fjalëve të pastra të gjuhës shqipe, por çdoherë përdorin shprehje sintaksore, që i takojnë fjalorëve të huaj”, ka thënë Sylejmani.

Por sipas ekspertëve të gjuhës, disa prej tyre kanë zgjedhë këtë metodë, sepse mendojnë se me këtë retorikë do të vinë në një nivel me qytetarët e thjeshtë, dhe kështu do ta arrijnë qëllimin e tyre, e që është marrja e votës. Profesori universitar i gjuhës Avzi Mustafa, thekson edhe një aspekt tjetër të këtij fajlori ku konsideron se në të gjitha tubimet e partive politike po vërehet një intolerancë inatçore që tregon se edhe pas njëzet vjetëve kemi mungesë qytetërimi, e mungesë demokratike, që kjo nuk është vetëm politike, por në të njëjtën kohë edhe etike. “Retorika që përdorin partitë politike është mjaft e ashpër. Kjo vjen sepse partive politike u mungojnë idetë e vërteta, dhe retorikën e tyre e kthejnë në problemet e vjetra. Kjo është një recetë e provuar për t’i ‘ndezur’ votuesit gjatë zgjedhjeve. Më lehtë është të flitet për gabimet dhe kriminalitetin e të tjetrit se sa të shpalohen konceptet politike në fushat e ndryshme të jetës dhe dalja nga gjendja e krijuar. ”Por sipas të njëjtëve ekspertë kjo retorikë e ashpër më shumë vie në shprehje tek partitë politike maqedonase ku liderët e tyre partiak, deri më tani janë parë se si kanë drejtuar ofendime të rënda në drejtim të njëri – tjetrit, duke mos kursyer edhe familjet e tyre.

Ekspertët janë të mendimit se në këto zgjedhje, në kampusin politik shqiptarë, gjendja është më e qetë në krahasim me zgjedhjet e kaluara, por tani ky primat i është lënë partive maqedonase.