Shkup – Pushteti shpejton që përmendorja e bronzit e Lekës së Madh dhe të atit të tij, luftëtarit Filipi i Dytë, të arrijnë në qendrën e Shkupit, pak kohë para zgjedhjeve që VMRO-DPMNE-ja të ketë mundësi ta përfundojë përrallën e saj parazgjedhore për “patriotizmin” e madh të liderit të tyre, Nikolla Gruevski.
Nga e tërë pakoja e cila e përbënw shatërvanin në sheshin e qytetit, ku duhet të vendoset Leka i Madh, deri më tani është ngritur bazament nga betoni. Bëhet fjalë për instalim nëntokësor për ujë, ndërsa nga shkritorja në Shkup ka arritur edhe pjesa anësore e rreshtit ushtarak, i cili do të vendoset nën përmendore.
Si vërtetim i informacionit se shpejtohet që këto dy përmendore të arrijnë është edhe deklarata e kryetarit të komunës qendër, Vlladimir Todoroviq, i cili para dy ditëve në një paraqitje televizive ceku se punohet në atë që përmendoret të bëhen sa më shpejt gati.
Jozyrtarisht kuptojmë se e vetmja gjë e cila mund t’ia prishë planin parazgjedhor partisë është spekulimi se është bërë gabim me bazamentin i cili gjoja nuk ka mundur ta mbajë përmendoren.
Sipas këtyre informacioneve ekziston rrezik të bie Aleksandri Maqedonas, pasi që ka probleme me statistikën. Përderisa, ky spekulim vërtetohet atëherë organet kompetente duhet të gjejnë arsyetim të mirë që tw arsyetojnë para opinionit për improvizime.
Për përmendoren e “Lekës së Madh” me shatërvanin janë harxhuar 9,4 milionë euro, ndërsa për të atin e tij, i cili, gjithashtu, është i hedhur në bronz, në të njëjtën shkritore në Itali janë harxhuar 4,5 milion euro.
Ekspertët komentojnë se tanimë është e dukshme se projekti “Shkupi 2014” është atuja kryesore e VMRO-DPMNE-së në fushatën parazgjedhore me të cilën dëshirojnë ta ngritin ndjenjën “patriotike” te populli.
Gjithashtu, shpjegojnë se për shkak të mossukseseve qeveritare pothuajse në të gjitha fushat të cilat reflektojnë në varfëri gjithnjë e më të madhe dhe izolim evropian, qeverisë nuk i ngelet tjetër zgjidhje por vetëm të luajnë në kartën e patriotizmit të rremë.
Mu për atë, në mediume vetëm se po imitohet video parazgjedhore për projektin, mes të cilave partia udhëheqëse thekson çka dhe sa kanë ndërtuar.
Saturday, 30 April 2011 08:38