Lajme Shqip Monday, 30 May 2011 13:59

Shkup – Ish anëtari i Kongresit të SHBA-së, Erl Pomeroj, të hënë dhe të martën në Çair, Tetovë, Manastir, Prilep dhe Kavadar do ta promovojë Kodin për zgjedhje të drejta dhe të lira që e inicion Instituti kombëtar demokratik. Kodi i sjelljes për zgjedhjet parlamentare të lira dhe të drejta, u nënshkrua nga ana e 38 partive politike në Republikën e Maqedonisë. Nënshkruesit e Kodit u obliguan se do t’i japin fund ryshfetit, dhunës, kërcënimit, votimit familjar, votimit në emër të tjetër kujt dhe mbushjes së kutive të votimit, si dhe do ta respektojnë parimin demokratik universal – një njeri një votë.

Kongresmeni Pomeroj, sot në ndërtesën e komunës së Çairit e theksoi rëndësinë e respektimit të Kodit të sjelljes në debatin e grave kandidate “Prezantime të programeve partiake për barazi gjinore”.

Në shkollën e mesme “Nikolla Shtejn” në Tetovë, sot do të mbahet turne në hendboll “Fer plej garë midis mbështetësve të partive politike”, ndërsa sonte në ndërtesën komunale në Manastir do të mbahet tubim për zgjedhje të drejta.

Kongresmeni Erl Pomeroj ka qenë përfaqësues i shtetit federal Dakota Veriore në Dhomën përfaqësuese të Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, midis vitit 1993-2011. Ai ka qenë edhe anëtar i Partneritetit për demokraci në Dhomën përfaqësuese e cila jep ndihmë dhe mbështetje teknike për Kuvendin e Republikës së Maqedonisë. Pomeroj është fitues i Çmimit ndërkombëtar për liri, të ndarë nga ana e Diasporës së bashkuar të Maqedonisë për mbështetjen e tij shumëvjeçare ndaj Republikës së Maqedonisë