Lajme Shqip Tuesday, 31 May 2011 15:32

Shkup – Analisti dhe shkrimtari më i njohur nga Maqedonia, në kolumnën e tij të rregullt për gazetën “Shqip” të Shqipërisë, kësaj radhe ka folur për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të cilat pritet të mbahen të dielën, më 5 qershor në Maqedoni.

Duke kërkuar gjatë gjithë shkrimit të të tij që të largohet nga skena politike kryeministri aktual i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, ai ka kërkuar edhe nga votuesit shqiptarë që të largojnë njëherë e përgjithmonë BDI-në dhe PDSH-në nga pushteti.

Ndërkaq, pasi ka theksuar arsyet pse nuk duhet të votohen këta parti, ai ka veçuar edhe një dukuri tjetër të rëndësishme për shqiptarët e Maqedonisë në këto zgjedhje.

Mehmeti i ka porositur shqiptarët e Maqedonisë që kësaj radhe të kalojnë interesat partiake dhe të votojnë Xhezair Shaqirin – Komandant Hoxhën.

“Përpos këtyre formacioneve partiake, në këto zgjedhje parlamentare, shqiptarët e Maqedonisë do të kenë mundësi të dëshmojnë edhe vetëdijen e tyre që shkon përtej koncepteve politike, e që ka të bëjë me qëndrimin e tyre njerëzor ndaj ruajtjes së individëve që simbolizojnë diçka të lavdishme nga e kaluara e afërt e tyre. Pra shqiptarët e Maqedonisë do të kenë mundësi të votojnë edhe për Xhezair Shaqirin e BDSH-së, apo të ashtuquajturin Komandant Hoxhën. Dhe vota e dhënë për të do i mundësojë atij t’i kthehet vendlindjes dhe familjes së tij, e të mos bredhë maleve të shqiptarisë, vetëm pse ky shtet do t’u marrë hakun të gjithë atyre që ishin emblemë njohëse e konfliktit të 2001-shit dhe që nuk u lejuan ‘branitellave’ të pinin çajin e fitores në Haraçinë”, shkruan Mehmeti. Sipas Mehmetit, çlirimtarëve shqiptarë u janë ngritur lapidarë në shumë vendbanime shqiptare, por me paratë e banorëve të fshatrave që pësuan nga “branitellat”.

“Shqiptarët e këtushëm paguajnë tatim të dyfishtë – njërin për përmendoret e Gruevskit, e tjetrin për ato që i viziton Ali Ahmeti sa herë që ndien mungesën e pikëve politike”, ka thënë Mehmeti.