Lajme Shqip Saturday, 17 September 2011 18:15

Shkup – Maqedonia prej njëzet vjetësh shkon në drejtim të gabuar dhe përveç që ka ngecur në rrugën e saj euro-atlantike, ndërmerr hapa që dëmtojnë jetën e qytetarëve të saj. Këtë e ka bërë të ditur një grup intelektualësh shqiptarë, të quajtur G-21, të cilët promovuan të shtunën nismën për zhbllokimin e proceseve euro-integruese. Iniciativa e intelektualëve shqiptarë ka për qëllim të nxisë qeverinë në zgjidhjen sa më të shpejtë të çështjes së emrit dhe nxjerrjen e vendit nga izolimi me qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës, dhe hapjen e perspektivës së të rinjve.

Ata drejtuan një sërë akuzash ndaj politikës së Gruevskit, që sipas tyre dëshmon qartë se nuk ka synim integrimin e vendit dhe unitetin që e proklamoi në tubimin e fundit të ditës së pavarësisë.

Sipas pjesëmarrësve në tryezën e sotme të rrumbullakët, politika e antikuizimit të historisë paraqet shërim të egos individuale të disa personave, që nga ana tjetër  tensionon marrëdhëniet ndëretnike. Sipas tyre shqiptarët janë peng i gjithë këtij procesi.

Profesori universitar Mersel Bilalli ka thënë se Maqedonia është peng i një politike ditore, tani por edhe në të kaluarën, “kemi harxhuar energji në segmente gjoja shumë të ndejshme ndëretnike”.

Tani pesë vite ne jemi peng i një bllokimi të procesit euro-integrime përmes një mekanizimi të shpikur që për mua është artificialisht i shpikur me qëllim që të pengon atë që quhet proces integrues në NATO dhe BE”, ka thënë ai.

“Ata që mendojnë se janë të gatshëm që të sakrifikojnë çdo gjë edhe ardhmërinë e të gjithëve për shkak të një dëshire, të një kënaqësie individuale të egos individuale se ne jemi Republikë e Maqedonisë dhe këtë nuk e ndërrojmë, ata mund të vazhdojnë edhe më tutje me këto pikëpamje por duhet në mënyrë shumë transparente ta bëjnë me dije se këtë problem nuk kanë ndërmend ta zgjidhin”, ka thënë Mahi Nesimi, ish-diplomat.

“Kësi lloj bashkimi, që thirr Gruevski ne nuk e duam, se ai në fjalimin e vet u drejtohet të gjithëve dhe radhit të gjithë, shqiptarët, turqit, romët, serbët, boshnjakët. Por, në kohën kur ai në atë projekt me qindra miliona euro, para të qytetarëve të Maqedonisë, ai në atë projekt nuk ka asnjë element nga asnjë nga këto kombe për të qenë pjesë përbërëse të projektit të Gruevskit dhe kjo flet se ai nuk do as Evropë as NATO”, ka thënë ish ministri i Financave Xhevdet Hajredini.

Ndryshe, analisti Albert Musliu ka thënë se, “nuk kemi asnjë përfitim si qytetar edhe pse autostrada u emërua Leka i Madh, edhe pse aeroporti u emërua Leka i Madh, ose prej busteve”.

“Nëse ndonjë politikan maqedonas mua mi tregon përftimet e këtyre veprimeve që realisht na e kanë keqësuar pozitën negociuese me Greqinë dhe na i kanë bllokuar proceset euro-integruese, unë si qytetar do t’i pranojë”, ka thënë Musliu. (LajmeShqip.com)