Shkup – Në Klinikën për sëmundje infektive në Shkup momentalisht ndodhen të hospitalizuar edhe gjashtë pacientë si pasojë e morbilit.
Për këta pacientë njoftohet se ndodhen në gjendje të qëndrueshme shëndetësore.
Në vend është ende në fuqi gjendja e epidemisë së fruthit, që nënkupton se vazhdon rreziku për rritje të numrit të personave që mund të preken nga kjo sëmundje.
Sipas Gordana Kuzmanovës nga Instituti i shëndetit publik (IShP), prekja me morbil mund të bëhet shumë lehtë, ndërsa pasojat janë të shumta.
“Të gjithë personat e pavaksinuar dhe bien në kontakt me të sëmurët me morbil, mund të sëmuren. Shenjat e sëmundjes janë shumë të ngjashme me virozat, temperaturë e lartë, rrjedhje hundësh, fytyrë e skuqur, por ka dhe pika të kuqe që përhapen në trup si rrjedhj e ujit në dush. Pasojat janë të shumta si brokopneumoni, diare, por mund të sjellë dhe vdekjen e pacientit. Në vitin 2008 mesatarisht në çdo orë morbili ka sjellë 18 viktima”, ka thënë Kuzmanovska.
Një ditë më parë morbili shënoi viktimën e tij të parë. Pacienti ishte i shtruar në Klinikën për sëmundje infektive si pasojë e prekjes nga sëmundja ngjitëse e morbilit (fruthit).
Ndërkohë, nga Ministria e shëndetësisë (MSh) pas njoftimit të lajmit, shtuan se pacienti 20 vjeçar vuante dhe nga sëmundje të tjera të rënda.
Wednesday, 11 May 2011 20:14