Lajme Shqip Thursday, 05 May 2011 16:30

Shkup – Qytetarët e Maqedonisë të cilët kanë humbur ose i kanë dëmtuar dokumentet e identifikimit prej sot do të mund t’i paraqesin me anë të rrugës elektronike në faqen e internetit të Gazetës zyrtare www.slvesnik.com.mk.

Në ueb faqen e Gazetës zyrtare ka një link i cili qytetarëve iu mundëson shpallje dhe pagesë për dokumentin jo valid – Letërnjoftim, pasaportë, leje komunikaciono. Pasi do ta plotësojnë formularin e parashikuar, me të dhënat e nevojshme, qytetarët duhet me të gjitha kartelat pagesore të cilat kanë mbështetje në Maqedoni ta paguajnë vlerën e parashikuar. Pas kryerjes së pagesës dhe shpalljes, qytetarët do të marrin e-mail me njoftim se ajo do të shpallet në edicionin e ardhshëm të Gazetës zyrtare. Pastaj qytetarët do të mund të aplikojnë në MPB për dokument të ri të identifikimit.

“Në këtë mënyrë do ta shkurtojmë kohën e pritjes dhe problemet procedurale me të cilat përballen qytetarët të cilët për dokumentet e humbura ose të dëmtuara duhet të vijnë në hapësirat e Gazetës zyrtare, dhe pas shpalljes në mënyrë shtesë të presin nga rreth një javë për të marrë karton me njoftim për shpalljen”, tha drejtori i Gazetës zyrtare Toni Trajanov.

Ai paralajmëroi se për qytetarët të cilët nuk do të kenë mundësi për ta bërë shpalljen në mënyrë elektronike, në të gjitha pikat e MPB-së ku aplikohet për dokumente personale, do të ketë fletëpagesa për katër llojet e dokumenteve të identifikimit, të cilat qytetarët pasi t’i plotësojnë do të mund t’i paguajnë në cilën do bankë. Pas pagesës së kryer, paralajmëroi Trajanov, qytetarët do të mund të aplikojnë për dokument të ri.

Gjatë periudhës kalimtare prej një muaji, qytetarët krahas kësaj mënyre të re, do të mund t’i shpallin dokumentet e tyre të humbura ose të dëmtuara si deri më tani.

Në Maqedoni brenda një viti në Gazetën zyrtare si të humbura janë shpallur rreth 30 mijë dokumente të identifikimit.