Shkup – Demokracia e Re (DR) e Imer Selmanit ka akuzuar të hënën Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI), për presion ndaj administratorëve shqiptarë, me qëllim që këto të njëjtit ta përkrahin këtë subjekt politik gjatë fushatës zgjedhore. Sipas DR-së, BDI është duke ushtruar trysni të paparë mbi të gjithë punonjësit shqiptarë në administratën shtetërore, duke kërkuar nga ata përmes formave të presionit, kërcënimeve dhe shantazhit që me çdo kusht të përfshihen në fushatën zgjedhore, edhe atë në shërbim të BDI-së. “Informatat më të fundit flasin për presionin që është ushtruar dhe vazhdon të ushtrohet ndaj administratorëve nga Tetova, nga të cilët BDI-ja kërkon të mobilizojnë sa më shumë njerëz me qëllimin e vetëm që të mbushin sallën e sporteve ‘Boris Trajkovski’. Nuk mund të kuptojmë se kë dëshiron te gënjejë BDI-ja me këtë imazh të rrejshëm: vetveten apo shqiptarët ?!. Sido që të jetë, porosisim kryesuesit e BDI-së të mbajnë duart larg nga keqpërdorimi i administratorëve te pambrojtur shqiptarë. Ne ju rikujtojmë se këta të rinj shqiptarë të sapodalur nga universitetet tona nuk kanë nevojë për mëshirë, e aq më pak për lëmoshë”, ka thënë Kastriot Haxhirexha, bartës i listët së DR-së në njësinë e gjashtë zgjedhore. Ndërkohë, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) i ka konsideruar të pabaza akuzat e DR-së.
“Me plot përgjegjësi konfirmojmë se në asnjë mënyrë nuk kemi bë dhe nuk do të bëjmë presion politik ndaj administratorëve shqiptarë dhe ndaj askujt, por ne jemi subjekt politik që ofrojmë program politikë dhe këtë e kemi konfirmuar vite me radhë.
BDI mbetet deri në fund konsekuent qëndrimit për zgjedhje të lira dhe demokratike dhe ne si subjekt legjitim i shqiptarëve në pushtet garantojmë një gjë të tillë. Në këtë rast dëshirojmë t’i ftojmë të gjithë partitë politike, përfshirë këtu edhe DR-në, që të bashkëngjiten në thirrjet tona për një fushatë korrekte pa shpifje dhe ofendime”, thuhet në reagimin e BDI-së së Ahmetit. Ndryshe, dy ditë më parë edhe Partia Demokratike Shqiptare (PDSH), akuzoi partinë e Ahmetit se në mënyrë antiligjore po keqpërdor administratorët dhe të punësuarit nëpër institucione shtetërore, shkolla, çerdhe dhe organizma tjerë institucional, për zgjedhjet e parakohshme.
Monday, 16 May 2011 21:03