Lajme Shqip Saturday, 28 May 2011 16:44

Shkup – “Se çfarë është në gjendje të bëjë BDI–ja kur në pyetje është fati i saj politik e tregon më së miri reagimi i Zyrës së presidentes së Kosovës, në të cilin thuhet se përfaqësues të BDI-së, të paftuar, i janë ulur në tavolinë presidentes Jahjaga gjatë vizitës së saj private në Tetovë. Se gjendja e BDI-së është edhe më e mjerë se sa që kemi kujtuar, dëshmon po ky reagim i Zyrës së Presidentes Jahjaga ndaj pretendimeve të BDI-së se gjoja përfaqësues të saj paskan pasur takim privat me Presidenten dhe si zakonisht të manipulojnë opinionin se ata qenkan të preferuarit e Kosovës”.

Ka qenë ky reagimi i sekretarit gjeneral të Shtabit Qendror Zgjedhor të DR-së, Visar Ramadani.

“Ky keqpërdorim dhe keqinterpretim i BDI–së nuk është i pari dhe me gjasë nuk do të jetë as i fundit. E njëjta ndodhi kohë më parë kur BDI-ja tentoi të keqpërdor përshëndetjen e liderit të saj, z. Ali Ahmeti me Presidentin e Shqipërisë Bamir Topi dhe ta prezantojë këtë përshëndetje duarsh si takim ekskluziv me liderin e tyre, e që e detyroi Zyrën e Presidentit Topi ta demantojë ose, thënë më drejtë, ta demaskojë para opinionit shqiptar këtë tendencë manipuluese të BDI-së. Fatkeqësisht, këto nuk janë rastet e vetme që BDI–ja ka tentuar t’i keqpërdorë gjatë fushatës parazgjedhore. Anëtarë të lartë dhe kandidatë për deputetë të kësaj partie shfaqen edhe në dorëzimet solemne të dëftesave të nxënësve parashkollorë, sa për të shfrytëzuar rastin për deklarata politike. Me këtë, këta zotërinj dëshmojnë se nuk kursejnë as fëmijët për interesa të tyre partiake”, ka thënë Ramadani.

BDI–ja, sipas tij, nuk i kursen as pleqtë kur bëhet fjalë për marketing të rrejshëm dhe votë potenciale. Këtë, gjë siç pohon, “e dëshmon më së miri rasti i Kryetarit të Komunës së Çairit i cili mbushi autobusë me pensionistë dhe i dërgoi për vizitë në Memorialin e Varrezave të Jasharëve”.

“Për të mos përfunduar këtu, pyesim publikisht BDI-në, pse nga njëra anë lavdërohet se ka punësuar policë shqiptarë, e nga ana tjetër, vetëm ditëve të fundit degradoi në nivelin më të ulët mbi 50 policë shqiptarë vetëm sepse ata janë nuk pranojnë të jenë në shërbim të BDI-së? DR-ja nesër me detaje do të informojë opinionin shqiptar për këtë veprim të BDI-së. Me këto veprime, këta zotërinj që veten e quajnë përfaqësues të popullit dëshmojnë se nuk njohin kufij morali e as norma njerëzore kur bëhet fjalë për interesa të tyre personale apo partiake. Ja kjo është BDI-ja, kjo është fytyra e vërtetë e partisë që përfaqësoi popullin shqiptar në Maqedoni”, ka thënë Visar Ramadani.