Shkup – Zëvendësministri i deritanishëm i Punëve të Brendshme, Xhevat Buçi të shtunën në Ministrinë e Punëve të Brendshme zyrtarisht ia dorëzoi detyrën zëvendësministrit të ri të Punëve të Brendshme Xhelal Bajrami.
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Bajrami theksoi se do të angazhohet nga ky pozicion në mënyrë konsekuente dhe në përgjithësi të zbatohet sistemi kushtetues i Republikës së Maqedonisë dhe për luftë joselektive kundër krimit dhe korrupsionit. “Do të angazhohem që qytetarët e Republikës të Maqedonisë, pa dallim të përkatësisë etnike, policinë ta ndjejnë si të afërt dhe shpresoj se do të kemi sukses”, ka thënë Bajrami. Buçi duke i dëshiruar punë të suksesshme Bajramit, si detyra të realizuara me suksese gjatë mandatit të tij përmendi zgjedhjet e mbajtura presidencial dhe lokale, si dhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare në 2011, të cilat kanë kaluar pa incidente, si dhe reformat e zbatuara në MPB, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me karrierën profesionale për të punësuarit në këtë institucion.
Në pyetjen e gazetarëve nëse ndërrimi i tij ka të bëjë me incidentin në Kalanë e Shkupit, Buçi ka thënë se nuk beson se ky është shkaku për ndërrimin e tij për shkak se siç nënvizoi, “te kryetari i BDI Ali Ahmeti ka besim dhe në të ardhmen do ta ketë atë”.
“Intervenimi im në rastin Kala mendoj se duhet edhe në të ardhmen të studiohet dhe është moment mjaft konstruktiv që nuk mundet shkurt të sqarohet. Parandaluam incident i cili mund të kishte mjaft pasoja të këqija dhe detyrimisht duhej në atë mënyrë të intervenohet. Jam krenar që arrita ta parandaloj një konflikt të madh të mundshëm”, ka thënë në pranim-dorëzimn e sotëm të funksionit të zëvendësministër i Punëve të Brendshme, Xhevat Buçi. (LajmeShqip.com)
Saturday, 30 July 2011 17:54