Lajme Shqip Sunday, 22 May 2011 18:38

Shkup – Anëtari i Shtabit zgjedhor të BDI-së Fatmir Besimi, në konferencë për shtyp në selinë e BDI-së në Shkup ka prezantuar të dielën pjesën ekonomike të Platformës për bashkim, zhvillim dhe integrim të partisë, për zgjedhjet parlamentare 2011.

“BDI, si parti e dëshmuar politike me veprat e saja, gjithmonë prioritet i ka pasur qytetarët dhe mirëqenien e tyre si dhe perspektivat e tyre për një jetë më të mirë, për një vend më të sigurt, i cili ofron vende të reja pune dhe perspektivë që vendi ynë në mënyrë më dinjitoze dhe më konkurruese të jetë pjesë e BE-së. Ne si subjekt politik, me këtë platformë, ashtu si edhe deri më tani i kushtojmë rëndësi të veçantë pjesës ekonomike, e cila do të sigurojë që qytetarët të mund të gjejnë vende pune, të kenë mirëqenie më të mirë. Modeli i zhvillimit ekonomik i BDI-së është modeli ekonomik për integrim, i cili bazohet në postulatin kryesor politik, i cili beson se integrimi ekonomik i vendit krijon një mundësi për më tepër investime që do të krijojnë mundësi të reja për punë dhe kushte më të mira”, ka thënë Besimi. Sipas tij, zhvillimi ekonomik dhe shanset e barabarta si postulat kryesor në vlerat që BDI i fokuson, do të bazohen në katër shtylla: Integrimin ekonomik, Ekonominë konkurruese, Zhvillimin e qëndrueshëm, Kohezionin social ekonomik dhe territorial.

“Kjo do të thotë se integrimet ekonomike do të zhvillohen me një dinamikë më të theksuar, edhe atë me integrim ekonomik brenda vendit, që nënkupton qasje të barabartë në buxhet dhe fondet publike, decentralizim fiskal për komuna më të zhvilluara dhe zhvillim të barabartë rajonal”, ka thënë ai.

Sipas Besimit, madje, segmenti tjetër i integrimit është integrimi rajonal, ku Maqedonia si ekonomi e vogël mund të krijojë një perspektivë më të mirë për investitorë vetëm nëse kemi një infrastrukturë të mirëfilltë me vendet fqinje të rajonit siç janë tregjet më serioze për Republikën e Maqedonisë si Shqipëria, Kosova, Mali i Zi .

“Integrimi ekonomik brenda vendit, qasje të barabartë për të gjithë dhe fondet publike është postulat që del nga Marrëveshja e Ohrit pika 41. Ne mendojmë dhe vlerësojmë se koncepti i Marrëveshjes së Ohrit është për qasje të barabartë dhe në bazë të prioriteteve ne do të kemi nevojë që në disa sektorë të kemi edhe më shumë se 25%. Fondet, të cilat vijnë nga Banka Evropiane për investim dhe çdo ndarje tjetër e buxhetit që do të vijë në periudhën e ardhshme, duhet të marrin një qasje adekuate. Fondet të cilat janë dakorduar në vendet ku jetojnë shqiptarët kalojnë 30 për qindëshin, që do të thotë se ne nuk ndalemi vetëm te shifra teknike prej 25 për qind”, ka thënë Besimi.

Projekte nga fusha e infrastrukturës, të cilat duhet të përfundojnë janë: Korridori Tetë, lidhja me autostradën, vazhdimi i korridorit Tetë nga Gostivari deri në Qafëthanë, i cili do të vazhdojë deri në Tiranë dhe nga Shkupi deri në Bllacë, i cili do të vazhdojë deri në Prishtinë. Rruga e Kombit, e njohur si rrugë e cila lidh me një standard më modern Prishtinën dhe Tiranën, do të lidh edhe Shkupin në dy krahët e saj, që do të thotë, Shkup-Tiranë dhe Shkup -Prishtinë. Sipas Besimit, kjo është me rëndësi, sepse investitorët kërkojnë qasje të tyre në treg nga e cila do të përfitojë Maqedonia dhe rajoni. Projekte të tjera të rëndësishme janë Rruga e Arbrit, aksi rrugor Kërçovë-Dibër, rikonstruktimi i rrugës Tetovë-Jazhincë, Brezi i Sharrit të jetë park nacional, investime në fushën e vendkalimeve kufitare, të hapen vendkalime kufitare si hapja e vendkalimeve të reja për në Kosovë dhe Shqipëri si dhe investime në energjetikë.