Lajme Shqip Sunday, 25 September 2011 09:27

Shkup – Ia vlen të presim lajme pozitive lidhur me Raportin e KE-së. Këtë e ka bërë të ditur dje zv/kryeministrja e angazhuar për çështje evropiane, Teuta Arifi. Ajo ka vlerësuar se shteti do ta ruajë edhe rekomandimin të cilin e kishte tashmë disa vite dhe se me shpresën, që u shfaq nga përfaqësuesit e KE-së, tha ajo, “ne do të arrijmë t’i tejkalojmë kontestet e tjera politike të cilat e mbajnë të bllokuar procesin evropian”.

Ajo ka informuar për takimet nga vizita e saj zyrtare në Bruksel me eurokomkisarin për zgjerim, Shtefan Fyle, me Stefano Saninon,m drejtor i përgjithshëm pranë Drejtorisë së përgjithshme të KE-së dhe me raportuesin në PE për Maqedoninë, Riçard Houit, me eurodeputetët Jorgos Shacimarkakis dhe Eduard Kukan, me Mishel Vatle – ministër i Belgjikës për migracion dhe azil dhe me Aleksandra Kas Granje, drejtoreshë për zgjerim pranë BE-së.

“Takimet ishin të hapura dhe konstruktive, ndërkaq pozitivisht ishte vlerësuar edhe puna jonë lidhur me realizimin e listës së detyrave që e pranuam para disa muajve nga Fyle dhe Sanino. Gjithashtu, pozitivisht ishte vlerësuar i tërë aktiviteti rajonal dhe nismat e vendit, e posaçërisht dialogu të cilin pushteti e hapi me mediumet”, ka thënë Arifi.

E pyetur nëse mund të zgjidhet çështja për emrin deri në dhjetor, zëvendëskryetarja e Qeverisë theksoi se është jo-mirënjohëse të hyhet në konceptime të datave, por se Brukseli është i interesuar jo vetëm ta ndihmojë procesin, por edhe të na japë mbështetje plotësuese në reformat, duke e përfshirë edhe kontestin për emrin.

Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve, Arifi ka vlerësuar se në pjesën e Legjislaturës evropiane janë notuar shumë elemente pozitive, përderisa në pjesën e reformave pranohet progresi në sfera të caktuara, ndërkaq notohet edhe pjesa ku nevojitet progres shtesë, si reformat në administratën publike dhe në gjyqësi.

“Mendoj se BE-ja mund të japë kontribut përmes shumë projekteve, përmes shumë programeve. Atë edhe po e bën dhe duhet shumë në mënyrë më intensive ta bëjë edhe në të ardhmen”, ka shtuar zëvendëskryeministrja Arifi.

Ajo ka sqaruar se jo vetëm nga institucionet në Bruksel, por edhe nga organizata të tjera ndërkombëtare në takimet u kërkua të japin kontribut në tejkalimin e kontestit për emrin duke e pasur parasysh faktin që, siç thotë, “bëhet fjalë për institucione në të cilat pala tjetër është anëtare, ndërsa ne pretendojmë të jemi anëtare”. (LajmeShqip.com)