Shkup – Kandidati për deputet i Rilindjes Demokratike Kombëtare (RDK), Nuhi Aliu, ka reaguar të shtunën ndaj deklaratës së ministrit të Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Nexhati Jakupi, për rastin e marrjes së licencës të kompanisë ”Euroaktiva”, pronar i të cilit është vetë ai.
“Le të tregojë ministri edhe një kompani tjetër të vetme në tërë Maqedoninë që gjatë kësaj kontrolle ia paska marrë licencën e punës ose gjatë tërë mandatit të tij si ministër le të tregon një rast që gjatë inspektimit i është marrë licenca e punës në tërë territorin e vendit. Gjatë dhjetë viteve të fundit nuk ka asnjë rast në Maqedoni që i është marrë licenca ndonjë kompanie për shkak të inspektimit. Ato mund të jenë të dënuara me dënime në para por jo të merret licenca. Rasti i ‘Euroaktivës’ është rasti i vetëm në Maqedoni që ti merret licenca e punës për veprimtari me mbeturina”, ka thënë Nuhi Aliu në reagimin e tij, duke shtuar se kontrolli pranë kompanisë së tij ka qenë selektive dhe inspektorati nuk ka konstatuar asnjë shkelje dhe ata kanë vepruar në mënyrë tejet profesionale dhe siç thuhet nuk kanë rënë në presionet e ministrit.
“Për këtë shkelje të rëndë të rastit Euroaktiva, për Ministrin e ekologjisë, njëherësh edhe kandidat për deputet nga radhët e BDI-së, sipas Kodit Penal parashihet burg prej 5 deri 15 vite. Ky ministër është i njohur edhe për shumë keqpërdorime të tjera, që ka bërë gjatë kohës kur ishte Ministër. Prandaj kërkojmë nga organet e drejtësisë të marrin masa konkrete ndaj këtij Ministri të papërgjegjshëm, kuadër i BDI-së”, qëndron më tej në reagimin e bartësit të listës për deputet të RDK-së në njësinë zgjedhore numër një.
Ndryshe, në reagim theksohet se ministri jashtë kompetencave të tij dhe autorizimeve në kundërshtim me ligjin ka sjellë aktvendim për marrjen e licencës, ku Aliu vlerëson se në bazë të ligjit ministri ka bërë shkelje të rëndë.
Saturday, 28 May 2011 18:05