Lajme Shqip Tuesday, 05 July 2011 09:02

Shkodër – “Rituali i Jetës”, një muzikal që ndërthur folklorin shqiptar me elemente bashkëkohore, korri suksesin e radhës mbrëmjen e djeshme në skenën e Teatrit “Migjeni” të qytetit të Shkodrës.

Në prani të një publiku të gjerë dhe të apasionuar pas kësaj gjinie, artistët e trupës së baletit të TKOB-së dhe solistët e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, interpretuan muzikalin e ideuar nga Zhani Ciko dhe me regji të Arian Sukniqit. “Rituali i jetës”, bazohet në tre linja kryesore, lindjen, dasmën dhe vdekjen, por që vijnë invers për publikun.

Shfaqja është një zinxhir ritesh që e kanë pikënisjen nga gjëma njerëzore, vdekja, për të kaluar më pas tek dasma dhe në fund muzikali mbyllet me optimizmin e lindjes, për të dhënë mesazhin se jeta është e bukur.

Triptiku skenik “Xhubleta e Gjamës”, “Një vello në jare”, “Ninulla që përkund jetën”, kanë elementë autentik të popullit tonë, marrë nga krahina të ndryshme.

“Ky etnomuzikal i parë shqiptar do të vinte patjetër me motivet e Shkodrës, sepse tradita nuk mund të shpërbëhet. Historikisht ky qytet i ka dhënë gjërat më të bukura artit shqiptar, sepse artistët më të mëdhenj nga Shkodra kanë dalë”, shprehet Arjan Sukniqi, që në rastin konkret është edhe regjisori i shfaqjes.

Sipas tij, pas premieres në Tiranë javën e kalur dhe kësaj të sotmes në Shkodrës, javën e ardhshme “Rituali i Jetës” do të zhvendoset në Maqedoni, për të vijuar më pas në Estoni e Finlandë në muajin shtator, ndërsa në dhjetor do të jetë në Paris, në djepin e kulturës botërore.